Qeveria shqiptare është dënuar nga Arbitrazhi me 44 milion euro dëmshpërblim ndaj kompanisë greke “Aktor” e cila kishte një kontratë për ndërtimit e rrugës Tiranë-Elbasan.
Pas këtij vendimi, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka fajësuar qeverinë “Berisha” si dhe LSI duke theksuar se qeveria aktuale e ka menaxhuar më së miri kontratën me kompaninë greke.
Ndërkohë, pas akuzave ka ardhur reagimi i LSI, e cila ka publikuar letrën që ish-ministri Haxhinasto i ka drejtuar kryeministrit Edi Rama në vitin 2016, ku mes të tjerash e vë në dijeni për problematikat me firmën greke për këtë autostradë.
DEKLARATË ZYRTARE E LËVIZJES SOCIALISTE PËR INTEGRIM
Në tentativën e radhës për të hedhur baltë ndaj LSI, Belinda Balluku e urdhëruar nga Edi Rama ka nxjerrë një deklaratë dezinformuese ndaj LSI-së.
Për të informuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Fugën që përgatit Deklaratat e Ministrive të Rilindjes, iu bëjmë me dije se para se të përmendni emrin e LSI duhet të thërrisni që t’iu sqarojnë:
Znj. Eridana Çano ish Zv Drejtore e Kabinetit të Kryeministrit të Rilindjes Edi Rama. Personi i ngarkuar nga Rama për ndjekjen e mbarëvajtjes së këtij projekti dhe komunikimin me ARRSH, Ministrinë dhe firmën greke AKTOR.
- Arben Ahmetaj, ish Ministër i Financave dhe personi që firmoste dhe aprovonte buxhetet, shpronësimet dhe rimbursimin e TVSH-së. Arbitrazhi është humbur pikërisht për mosrimbursimin e TVSH-së dhe shpronësimeve.
- Afrim Qendron, që ishte kryetari i Këshillit Teknik dhe ishte ai që miratonte çdo ndryshim projekti që kishte efekt në buxhet.
Dhe si mund të evitoni Taulant Ballën nga marrja në pyetje, që jo vetëm përdori kunatin dhe motrën për lëvizjen e parave por edhe listën e njerëzve që punësonte në Elbasan.
Cila është lidhja e Kristlen Kerrit me Taulantin?
Së fundmi, i bëjmë thirrje Prokurorisë, të zbulojë pse janë zhdukur e-mailet e komunikimit mes Eridana Çano-s dhe drejtuesve të njësisë së menaxhimit të projektit Z. Aksel Gjurduka dhe Z. Albens Alite?
Përpara se Znj. Balluku të bëjë deklarata inati ndaj Damian Gjiknurit, e këshillojmë që të shikojë letrat mirë. Meqënëse është dhe ish-studente e Fakultetit Juridik Tiranë.
Ankesa e firmës Greke AKTOR ka ardhur në ARRSH, një javë pasi Dashamir Xhika ka dhënë dorëheqjen. Trajtimi i këtyre ankesave duhet të ishte marrë në konsideratë nga Damian Gjiknuri dhe Afrim Qëndro.
Kur LSI qenka kaq e rëndësishme, përse firma Greke ka nisur gjyqin me qeverinë shqiptare në 2019-ën, 2 vite pasi LSI ishte në opozitë dhe pse kryeministri Rama nuk ka marrë asnjë veprim ndaj informimit që Ministri i LSI-së Z. Haxhinasto i bëri në Mars 2016-ën, me anë të një letre zyrtare mbi problematikat me firmën Greke në rrugën Tiranë-Elbasan.