Pasditen e sotme kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë marrëveshjen për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në nënshkrimin e kësaj marrëveshje ishte i pranishëm dhe presidenti i SHBA, Donald Trump, i cili tha se sot është një ditë historike për të dy shtetet.
Ndërkohë, pas nënshkrimit të marrëveshjes, presidenti i Serbisë Vuçiç është shprehur se sot dy vendet kanë hedhur një hap të madh në normalizimin e marrëdhënieve, por sipas tij, ende mes palëve ka dallime.
Ai e cilësoi të rëndësishme pjesëmarrjen e Kosovës në mini-Shengenin rajonal. Vuçiç ka deklaruar se pas nënshkrimit të marrëveshjes, delegacioni serb pati një takim të gjatë dypalësh me Presidentin e SHBA, Donald Trump.
“Ne nuk i kemi zgjidhur të gjitha problemet tona. Ka akoma dallime, por të kesh një zonë të unifikuar ekonomike me Kosovën ishte një hap i madh përpara. Është jashtëzakonisht e rëndësishme, unë i jam mirënjohës Trump. Hoti u zotua që të bashkohen në mini-Shengenin rajonal. Kjo do të sigurojë lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit, shërbimeve. Ishte e një rëndësie fantastike për të gjithë ne” tha Vuçiç.