Partia në pushtet e Presidentit Milo Gjukanoviç, e cila mban prej 3 dekadash pushtetin në Mal të Zi, rezulton të ketë fituar shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të së dielës.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Partia Demokratike e Socialistëve ka siguruar 35,12% të votave, e pasuar nga koalicioni për Ardhmërinë e Malit të Zi, me 32,52%.
Megjithatë, tri koalicionet opozitare, përfshirë “Paqja është kombi ynë” dhe “E bardhë në të zezë”, kanë fituar më shumë mandate, 41 nga 81 që ka gjithsej Mali i Zi.
Ndërkohë, dy koalicionet shqiptare kanë arritur të sigurojnë dy deputetë në Kuvend. Kështu, Lista Shqiptare ka marrë 1,61% të votave, duke siguruar një mandat, si dhe Koalicioni Shqiptar ka siguruar 1,16% të votave, duke siguruar edhe ky një mandat deputeti.
Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi u mbajtën të dielën, me një pjesëmarrje prej më shumë se 75% të qytetarëve./Opinion.al