Viti i ri shkollor në Maqedoninë e Veriut nuk do të fillojë më 1 shtator, siç ishte paralajmëruar më herët, por më 1 tetor.
Lajmi u konfirmua nga kryeministri i emëruar, Zoran Zaev.
“Viti shkollor nuk do të fillojë më 1 shtator. Për shkak të përgatitjes së protokolleve shëndetësore, mësimi duhet të nisë më 1 tetor. Vendimi do të merret në seancën e parë të qeverisë, në të cilën do të miratohen edhe ndryshimet ligjore për mbarëvajtjen e procesit mësimor”, tha Zaev.
Për shkak të pandemisë së koronavirusit, Komisioni për Sëmundje Infektive në Maqedoninë e Veriut i ka rekomanduar qeverisë që mësimi nga klasa e parë deri në të tretën të nisë me praninë fizike të nxënësve në shkolla, ndërsa fëmijët që nuk duan të rikthehen në shkolla, mësimin mund ta ndjekin online, paralelisht me nxënësit e tjerë.
Për klasat e tjera të arsimit fillor dhe të mesëm, mësimi është parashikuar të mbahet online.
Ky rekomandim ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, ndërsa Unioni i Shkollave të Mesme ka paralajmëruar bojkot të mësimit dhe protesta. Nxënësit kërkojnë mësim të kombinuar, me prani në shkollë dhe mësim nga distanca apo online.
Maqedonia e Veriut është njëra nga vendet më të prekura në Ballkanin Perëndimor nga pandemia e koronavirusit. Mbi 13,800 persona janë infektuar dhe mbi 570 kanë humbur jetën nga koronavirusi./Opinion.al