Kremlini ka thënë të martën se nuk ka nevojë për nisje të menjëhershme të hetimeve rreth asaj sesi është sëmurur kritiku opozitar, Aleksei Navalni, duke shtuar se ende nuk është e qartë për Moskën pse mjekët gjermanë që po trajtojnë atë, janë “nxituar” me përdorim të shprehjes helmim.
Spitali Charite që po trajton Navalnin prej kur ai është dërguar me aeroplan në Gjermani përgjatë fundjavës, ka thënë të hënën se testet tregojnë që kritiku i Kremlinit është “helmuar”.
Spitali në Berlin ka thënë se Navalni është në kujdes intensiv dhe është ende në gjendje kome.
Gjendja e tij shëndetësore “është serioze mirëpo ende ai nuk është në rrezik për jetën”, kanë thënë autoritetet shëndetësore.
Pas njoftimit të mjekëve, kancelarja gjermane, Angela Merkel i ka bërë thirrje Rusisë që të hetojë dyshimet për helmim të Navalnit dhe t’i mbajë përgjegjës ata që qëndrojnë mbrapa këtij akti.
Mirëpo zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u ka thënë gazetarëve të hënën se klinika gjermane nuk ka identifikuar ende substancën që i ka përkeqësuar gjendjen Navalnit.
Peskov ka thënë se ende nuk është e qartë pse mjekët gjermanë janë “nxituar” duke përmendur helmimin.
“Ne nuk e kuptojmë pse kolegët tanë gjermanë po nxitohen në përdorimin e shprehjes ‘helmim’”, ka thënë ai.
“Nëse substanca identifikohet dhe vërtetohet se ka qenë helmim, atëherë do të ketë arsye për hetime”, ka thënë Peskov.
Mbështetësit e Navalnit kanë fajësuar Kremlinin dhe vetë presidentin rus, Vladimir Putin për këtë incident.
Mirëpo Peskov ka thënë se “nuk ka mundësi që akuza të tilla të jenë të vërteta”.
Gjendja e Navalnit u përkeqësua më 20 gusht në një fluturim prej qytetit siberian, Tomsk për në Moskë.
Aeroplani ka bërë ulje emergjente në Omsk, për trajtim spitalor.