Irani thotë se analizat nga kutitë e zeza të avionit ukrainas të pasagjerëve, tregojnë se ai u godit nga dy raketa – me një diferencë kohore prej 25 sekondash nga goditja e parë dhe e dytë – dhe se personat që ishin në bordin e këtij avioni, ishin ende gjallë pas goditjes së raketës së parë.
Ky njoftim i bërë nga Organizata për Aviacion Civil i Iranit është raporti i parë zyrtar që tregon për të dhënat e nxjerra nga kutitë e zeza, që kanë incizuar bisedat e bëra në kabinën e pilotëve dhe incizime të tjera.
Kutitë e zeza të këtij avioni, në korrik, u dërguan në Francë për analizim.
Teherani thotë se e ka goditur me raketa gabimisht avionin ukrainas gjatë muajit janar. Të 176 personat që ishin në bordin e këtij avioni pasagjerësh u vranë.
“Nëntëmbëdhjetë sekonda pasi raketa e parë qëlloni aeroplanin, zërat e pilotëve brenda kabinës së pilotëve, lënë të kuptohet se pasagjerët ishin gjallë.. 25 sekonda më pas, raketa e dytë goditi avionin”, citohet të ketë thënë Touraj Dehghani-Zanganeh.
Irani ka qenë në bisedime me Ukrainën, Kanadanë dhe shtete të tjera, qytetarët e së cilëve u vranënga rrëzimi i këtij avioni, dhe të cilët kanë kërkuar hetime për këtë incident.
“Të dhënat e nxjerra nga kutitë e zeza nuk duhet të politizohen”, tha Zanganeh.
Garda Revolucionare e Iranit rrëzoi avionin ukrainas më 8 janar, pak kohë pasi ishte nisur nga një aeroport në Teheran. Irani ka thënë se rrëzimi i këtij avioni ka qenë një gabim, pasi në atë kohë, forcat iraniane ishin në gatishmëri të lartë, për shkak të rritjes së tensioneve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zyrtarët iranianë dhe ukrainas kanë biseduar rreth kompensimit të familjeve të viktimave. Për këtë çështje ata pritet që të bisedojnë edhe gjatë muajit tetor./REL