TikTok ka thënë se po planifikon t’i drejtohet gjykatës për t’u përballur me urdhrin ekzekutiv të administratës Trump që e ndalon aplikacionin të përdoret në SHBA, në rast se kompania kineze ByteDance nuk gjen një blerës amerikan.
“Për t’u siguruar se ligji është ai që prevalon dhe se kompania dhe përdoruesit tanë po trajtohen si duhet, ne nuk kemi zgjidhje tjetër, por të përballemi në gjykatë me urdhrin ekzekutiv”, tha TikTok në një deklaratë për CNN, duke shtuar se hapat për këtë do të merren javën e ardhshme.
TikTok shtoi se është përpjekur të bashkëpunojë me qeverinë amerikane për të gjetur një zgjidhje mbi shqetësimet e saj për çështjet e sigurisë, por si përgjigje mori mungesën e vëmendjes së administratës ndaj fakteve dhe përpjekjen e saj për t’u futur në negociata mes bizneseve private. Shtëpia e Bardhë nuk i është përgjigjur ende kërkesës së CNN për një koment pasi Departamenti i Drejtësisë e refuzoi atë.
Microsoft tha më herët këtë muaj se kishte avancuar në negociatat për blerjen e TikTok pas një bisede mes CEO-s Satya Nadella dhe Presidentit Donald Trump.
Administrata Trump ka bërë me dije se lidhjet e TikTok me Kinën mund të rrezikojnë që të dhënat e përdoruesve amerikanë të transferohen tek qeveria kineze, gjë që kompania e ka mohuar./Opinion.al