Sot është dita kur ka nisur aplikimi i regjimit të kuotave në pikat kufitare me Greqinë. Nga Kapshtica do të lejohen të kalojnë kufirin vetëm 300 persona ndësa nga Kakavija 750.
Situata e rëndë që nisi të mërkurën e javës që shkoi, me radhë automjetesh që zgjateshin deri në 20 km në Kakavijë, u zgjidh mbrëmjen e djeshme ku kaluan pothuajse të gjithë qytetarët që prisnin.
Marrëveshja mes palës greke dhe asaj shqiptare bëri që sportelet dje të punonin me kapacitet të plotë edhe përtej orarit në mënyrë që aplikimi i kuotave ditën e sotme të mos shkaktonte kaos. Mëngjesi i sotëm ka ofruar një panoramë krejt ndryshe në pikën doganore të Kakavijës e cila është “e zbrazët”.
Sipas raportimit të ABC News, në orët e para të mëngjesit nga pika kufitare e Kakavijës kanë kaluar vetëm dy automjete nga Shqipëria drejt Greqisë.
Drejt Greqisë do të lejohen të udhëtojnë, qytetarët me shtetësi greke, personat që kanë leje qëndrimi në Greqi, personat me kartë minoritari, personat që kanë vendbanimin e tyre kryesor në Greqi, si dhe ata që e kanë të domosdoshme të udhëtojnë për arsye profesionale-pas marrjes së lejes së posaçme.
Ata do të duhet të kryejnë testin nëse janë apo jo bartës të Covid-19, në të gjithë laboratorët privatë dhe publikë të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Përgjigja e testit duhet të jetë e përkthyer në gjuhën angleze, dhe vetëm në rast se përgjigja është Negativ, ata do të lejohen të kalojnë në Greqi.
Më pas me të shkelur në tokën greke, ata do duhet të karantinohen për një javë. /Opinion.al