Presidenti Meta ka reaguar pas situatës që vijon të mbetet problematike në Kakavijë dhe Kapshticë.
Kreu i shtetit i bën thirrje qeverisë shqiptare që mos të trajtojë qytetarët shqiptarë “si njerëz pa Atdhe dhe pa shtet”. Nga ana tjetër Presidenti i kërkon autoriteteve greke “të bëjnë të pamundurën për zgjidhjen e situatës, imazhet e së cilës turpërojnë të dyja vendet”
“Çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë meriton të trajtohet me dinjitet”, thekson Presidenti Meta duke shtuar se “aktet e forcës janë të papranueshme”.
Meta kërkon gjithashtu që tamponët për qytetarët në kufi të bëhen falas edhe në vendin ku ata ndodhen e jo në Tiranë.
Reagimi i plotë i Presidentit Ilir Meta
Qytetarët shqiptarë, të cilët prej ditësh ndodhen në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, në kushte tejet të vështira dhe në prag të një krize humanitare, nuk mund të trajtohen si njerëz pa Atdhe dhe pa shtet. Përsëris thirrjen e fortë drejtuar qeverisë shqiptare për të qëndruar pranë qytetarëve dhe për të marrë të gjitha masat, për informimin me transparencë, realizimin FALAS dhe në vendin ku ndodhen të tamponëve për COVID-19. Kontaktet me Greqinë të jenë konstante dhe vetëm në funksion të një zgjidhjeje të menjëhershme. Aktet e forcës janë të papranueshme! I kërkoj autoriteteve greke, që në respekt të frymës së fqinjësisë së mirë dhe lidhjeve të forta tradicionale mes dy popujve, të bëjnë të pamundurën për zgjidhjen e situatës, imazhet e së cilës turpërojnë të dyja vendet. ÇDO QYTETAR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË MERITON TË TRAJTOHET ME DINJITET!/ Opinion.al