Mëngjesi i së dielës e ka gjetur pikën kufitare të Kapshticës me radhë të gjata automjetesh.
Sipas rregullave të reja që kanë hyrë në fuqi, nga kjo pikë kufitare do të lejohen të kalojnë vetëm 300 persona. Kjo kuotë bëhet e ditur se është plotësuar dhe puna në pikën doganore është pezulluar.
“Ditën e sotme, pas takimit që autoritetet shqiptare zhvilluan me palën greke, jemi informuar se nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, drejt Republikës së Greqisë do të lejohen të kalojnë vetëm 300 shtetas. Aktualisht kjo kuotë, është plotësuar dhe nga ana e palës greke është pezulluar puna.”, njofton Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë.
Policia Kufitare apelon për qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Greqisë, që mos vijojnë të dynden dhe të shmangin krijimin e radhës drejt kësaj pike kalimi, pasi Dogana Greke aktualisht është e mbyllur.
Autoritetet greke kishin paralajmëruar se nga data 16 gusht do të hynin në fuqi rregullat e reja por kuotat e personave që mund të kalojnë ishin njoftuar se do të aplikoheshin nga dita e hënë.
Mbyllja e pikës kufitare sot pas lejimit të vetëm 300 personave rrezikon të shkaktojë edhe në Kapshticë një situatë të ngjashme me atë në Kakavijë ku qytetarët kanë që nga e mërkura që presin në radhë kilometrike për të kaluar kufirin. /Opinion.al