Situata në Kakavijë është përkeqësuar ndërsa raportohet se vargu i makinave që presin të kalojnë kufirin ka kaluar 20 kilometra.
Mijëra qytetarë kanë kaluar mbrëmjen në makinat e tyre për të tretën ditë rresht.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, sporteli i palës greke është mbyllur në orën 22:00 për tu hapur sërish në orën 6 të mëngjesit.
Gjatë natës janë shtuar makinat me qytetarë shqiptarë që kërkojnë të kthehen në Greqi. Kjo situatë rrezikon të kthehet në një krizë të rëndë humanitare në kufi. Temperaturat e larta gjatë ditës dhe mungesa e shërbimeve në zonë e rëndojnë edhe më shumë gjendjen, ndërsa fjetja në makina nuk dihet se sa do të zgjasë për shumë nga familjet të cilat kanë ngecur në radhë bashkë me fëmijët e vegjël.
Shkak i radhës mbi 20 kilometra është bërë testi për Covid-19 që kryhet në kufi. Pala greke ka njoftuar se do të lejojë vetëm 750 qytetarë të ditë që të kalojnë, një shifër shumë e vogël krahësuar me numrin e atyre që presin në radhë. Shërbimet në pikën kufitare nuk vazhdojnë gjatë orëve të mbrëmjes.
Ministria e Jashtme ka njoftuar se është duke biseduar me homologët grekë për të zgjatur orarin e shërbimit përtej orës 22:00. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka vizitoi Kakavijën ditën e djeshme dhe tha se janë duke komunikuar me autoritetet greke për të zgjidhur situatën. “Është një situatë që për fat të keq që janë përballur jo vetëm vende jashtë BE por dhe vende të BE”, tha ajo. /Opinion.al