Guvernatori i Nju Jorkut tha të premten se ai do të lejojë fëmijët në mbarë shtetin të kthehen në klasa me fillimin e vitit të ri shkollor, duke përmendur si arsye për këtë vendim suksesin e shtetit në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.
Njoftimi i guvernatorit demokrat Andrew Cuomo hap rrugën që shkollat të ofrojnë të paktën disa ditë mësimi në klasë krahas mësimdhënies në distancë. Nxënësve do t’u kërkohet të mbajnë maska gjatë gjithë kohës së qëndrimit në shkollë.
“Kudo në shtet, çdo rajon ndodhet nën pragun që kemi vendosur”, tha zoti Cuomo gjatë një konference me gazetarët duke iu referuar shifrave të përhapjes së virusit. “Nëse do të ketë rritje të infeksioneve apo shqetësim mbi nivelin e tyre vendimi do të rishikohet”, tha ai.
Shumë qarqe shkollore të Nju Jorkut kanë planifikuar ta fillojnë vitin duke pranuar nxënësit në ndërtesa për vetëm disa ditë në javë, ndërsa pjesa tjetër do të zhvillohet nëpërmjet internetit, në shtëpi.
Për më shumë se 1 milion nxënës të shkollave publike në qytetin e Nju Jorkut dita e fundit e mësimit në klasë u zhvillua më 13 mars, ndërsa një valë infeksionesh po mbushte spitalet e qytetit. Të gjitha shkollat në mbarë shtetin u mbyllën më 18 mars. Kryetari i bashkisë së qytetit, Bill de Blasio, ka thënë që nga pranvera se kishte si qëllim rikthimin e nxënësve në shkollë,duke shpenzuar sa më shumë kohë të jetë e mundur në klasë, por duke ruajtur distancimin fizik. Plani dukej jashtëzakonisht ambicioz. Edhe javët e fundit shumë shkolla në të gjithë vendinkanë hequr dorë nga planet për zhvillimin e mësimit në klasë.
Çikago, Los Anxhelos, Majami dhe Hjustoni, mes të tjera, kanë njoftuar se do ta nisin vitin e ri shkollor me mësimdhënie në distancë.
De Blasio, ndërsa paralajmëroi se mund ta ndryshonte kursin në çdo moment, shpresonte se shkalla relativisht e ulët e infeksioneve në qytet do të lejonte nxënësit dhe stafin të riktheheshin të sigurtë. Ai gjithashtu ka thënë se kthimi në klasë është jetik për rihapjen ekonomisë e qytetit që është penguar edhe për shkak se prindërit do të detyrohen të qëndrojnë në shtëpi me fëmijët e tyre.
Zoti Cuomo bëri të ditur se afro 750 qarqe të Nju Jorkut duhet ende të adresojnë çështje që lidhen me frikën e prindërve dhe mësuesve se shkollat mund të mos jenë të sigurta. Ai tha se do t’u kërkojë atyre të publikojnë planin e mësimit në distancë si dhe që të zhvillojnë “seanca diskutimi” me prindërit. “Ata duhet të komunikojnë me prindërit, t’u shpjegojnë planin dhe t’u përgjigjen pyetjeve të tyre”, tha zoti Cuomo.
Ndonëse ritmet e përhapjes së virusit kanë rënë, infektimet nuk janë zhdukur në New York. Rreth 10 mijë banorë të qytetit rezultuan pozitivë në korrik. Të mërkurën dy sindikata, ajo e Mësuesve të Bashkuar të Shtetit të Nju Jorkut dhe Federata e Bashkuar e Mësuesve, kërkuan protokolle më të qarta shëndetësore, ku të thuhet se shkollat duhet të mbyllen menjëherë brenda dy javësh, nëse ndonjë nga nxënësit apo ndonjë pjesëtar i stafit pedagogjik infektohet nga virusi. Mësuesit janë të ndaluar të bëjnë grevë në Nju Jork, por është e paqartë nëse një numër i madh mund të heqë dorë nga mësimi në klasë për arsye mjekësore ose thjesht do të refuzojë të punojë. Prindërit gjithashtu nuk kanë dalë me një vedim të qartë nëse do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë apo preferojnë mësimin në shtëpi nëpërmjet internetit.
Shkollat kanë kaluar verën duke përpiluar plane për sigurinë në klasë, duke grumbulluar pajisje mbrojtëse si dhe duke analizuar se si të ulin numrin e nxënësve në klasa e të fusin sa më pak nxënës në autobusët shkollorë. Zoti Cuomo kërkoi që të gjitha shkollat të paraqesin plane që detajojnë masat për rihapjen, duke thënë se shteti nuk do të lejojë asnjë shkollë që të fusë nxënës në shkollë nëse ka një plan të pasigurtë./VOA