Genc Ruli është kthyer në Partinë Demokratike, si pjesë e komisionit që do të vlerësojë kandidatët për deputetë dhe ky fakt ka kaluar jo pa vëmendje, nëse kujtojmë kritikat e tij ndaj liderit Basha tre vite më parë. Por gjatë një interviste në ABC News, Ruli ka thënë se të paktën prej dy vitesh ka një tjetër raport me Bashën.
“Mund të kemi të paktën dy vjet që jemi ulur herë pas here. Ndjehem akoma më mirë kur shoh që ka vëmendje dhe ai më dëgjon në këto këshilla të mirat. Shërbimin në funksion të përzgjedhjes së kandidaturave më të mira, e shoh si një detyrim moral dhe politik që kam në parti”, është shprehur ish-ministri për gazetaren Esiona Konomi.
Lidhur me të qenit e tij pjesë e aktive e PD, Ruli ka thënë: “Unë përsëri nuk do të kandidoj për deputet, nuk do të pretendoj për të marrë pjesë në ekipet qeverisëse të PD-së, unë do të rri përsëri këtu në shtëpinë time”.
E ndërsa komisioni do të vlerësojë rreth 2000 emra të propozuara nga baza demokrate deri më 15 shtator, për Rulin janë disa elementë që do të prevalojnë për përzgjedhjen e emrave.
“Komisioni nuk ka ndërmend të bëjë ndonjë revolucion në politikë. Eksperienca, karriera në PD, qëndrimet që ka mbajtur sidomos në betejat kyce të PD-së, për mua do të prevalojë si kriter.”
Lidhur me emrin e zotit Berisha dhe mundësinë për të qenë sërish në listat e PD, Ruli shprehet: “Lavdia e zotit Berisha do të mjaftonte për dy jetë, jo për një, por ai është një njeri energjik, pa diskutim. Por i takon atij të shprehet për këtë gjë. Secili duhet të dijë ta ruajë vetë lavdinë dhe shkëlqimin e tij. Ti vendos që karriera ime politike ka qenë e vrullshme, ka kaluar në të gjitha kulmet e saj, sot është dita që unë ta mbyll, për të mos ta mbyllur të tjerët ty.”
Mes emrave të propozuar nga baza për tu bërë deputetë është edhe kritikja tjetër, Jozefina Topalli. Por Ruli nuk jep një verdikt nëse ajo duhet apo jo të kandidohet.
“Për gjykimin që do të bëhet për të, jam i detyruar të ruaj kodin e etikës së komisionit ku bëj pjesë”.
Por kritikë të tjerë, si Majlinda Bregu, Astrit Patozi, Arben Imami ende nuk kanë pasur kthesën e Rulit për të hedhur pas të shkuarën e për të bashkuar fuqitë demokrate kundër Edi Ramës. Sipas Genc Rulit, përgjegjësia mund të jetë e të dyja palëve.
“Unë mirëpres që Basha të ndërmarri, apo edhe ata të shprehen, sepse duhet të jetë reciproke, nëse duan apo jo të angazhohen në këtë proces elektoral, kur unë nuk them se janë të pandikueshëm dhe të padobishëm pozitivisht për këtë garë elektorale”.
Ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës, për Genc Rulin nuk dëmton demokratët, të cilëve ju sheh si favor rritjen e besimit në elektorat, shoqëruar me një qeveri të konsumuar, që po mban pushtetin, por nuk po qeveris.