Ashtu sikurse kishte njoftuar Vladimir Meçi, avokati i Emiljano Shullazit ka ankimuar vendimin për futjen në izolimin “41 bis” të klientit të tij dhe anëtarëve të tjerë të bandës.
Në këkesën e tij ankimore, drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ankuesi Emiljano Shullazi, i përfaqësuar nga avokati Vladimir Meçi e cilëson të kundraligjshëm vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për vendosjen në regjimin e posaçëm në Burgun e Sigurisë së Lartë.
“Duke analizuar sa më sipër më rastin e të mbrojturit prej meje Emiljano Shullazi nuk rezulton që të jemi përpara një rasti të veçantë që të diktojë zbatimin ndaj tij të regjimit të posaçëm. Edhe urdhri i Ministrit të Drejtësisë nuk e argumenton një gjë të tillë, pra, nuk kemi të bëjmë me kriterin e përcaktuar. Emiljano Shullazi është gjykuar vetëm nga gjykata e shkallës së parë, pra nuk ka statusin e të dënuarit dhe siç rezulton nga vendimi i gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, të pesë gjyqtarët e trupës gjyqësore, kanë vendosur nisur nga rrezikshmëria shoqërore e të gjykuarve që ata ta vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme! Pra, Emiljano Shullazi nuk bën pjesë në kategorinë e subjekteve të përcaktuara”, thuhet në arsyetimin e avokatit, publikuar nga ABC neës.
Referuar argumentit të Ministrisë së Drejtësisë për kontakte të Shullazit me anëtarë të tjerë të organizatës kriminale, avokati kujton lidhjet e gjakut me dy prej anëtarëve të bandës, duke u shprehur se gjykata nuk mund të ndalojë marrëdhënien njerëzore mes Shullazit dhe anëtarit tjetër të grupit nipit të tij Endrit Zela
“Ajo që tuhet në urdhrin e Ministrit të Drejtësisë, për Emiljano Shullazin se “subjekti mban komunikime* kontakte me organizatën kriminale ku bën pjesë edhe me organizata të tjera , si dhe me të paraburgosurit e tjerë të cilët i përkasin së njëjtës organizatë dhe organizatave të tjera, me të cilat bashkëpunojnë” është e paplotë dhe nuk vërteton qëllimin e këtyre kontakteve apo komunikimeve. Emiljano Shullazi ka qenë i paraburgosur në IEVP 313, bashkë me të kanë qenë edhe nipi i tij Endrit Zela, shoku i tij i fëminisë Gilmando Dani dhe kushëriri i tij Blerim Shullazi, të gjithë këta sipas gjykatës janë pjesë e së njëjtës organizatë kriminale ,kujtojmë se mes qenieve njerëzore ka edhe marrëdhnie njerëzore daja do e takojë e do flasë me nipin e tij dhe do kujdeset për të dhe kjo nuk mund të quhet as kriminale dhe e kundraligjshme”, arsyeton avokati.
Duke kujtuar se Shullazi ka më shumë se 4 vite në burg, avokati vë në dukje faktin që klienti i tij ka qenë i punësuar dhe nuk ka asnjë masë disiplinore.
“Emiljano Shullazi ka në paraburgim plot 4 vjet dhe 3 muaj, në dy vjetë e gjysmë ka qenë i punësuar më bibliotekën e Burgut dhe nuk ka asnjë vërejtje apo masë disiplinore ndaj tij. Si ta shpjegojmë që ky individ, ka respektuar me përpikmëri rregulloren nga njëra anë dhe një ditë të bukur me diell, “rrufe në qiell të pastër” u bë “Armiku Publik” që duhej patjetër të izolohej në regjimin 41 bis?!”, shkruan avokati./Opinion.al