Ditën e sotme Kuvendi i ka dhënë dritën jeshile Aktit Normativ “Për disa ndryshime në ligjin nr. 88/2019 “Për buxhetin e vitit 2020” të ndryshuar”.
Me 86 vota pro, 8 kundër dhe 6 abstenim, janë miratuar ndryshimet e buxhetit të vitit 2020, për të cilat ministri Arben Ahmetaj tha sot në seancë plenare se janë mjaft realiste, “me themel jo shifrat por politikat sociale dhe reformat”.
Në ndryshimet e buxhetit u miratua edhe përfshirja e financimit të tunelit të Llogorasë dhe të Kampusit Universitar. Paralelisht në Kuvend u miratua edhe heqja e tatim fitimit për bizneset me xhiro deri në 10 milionë lekë, si dhe shtyrja e afateve për hyrjen në fuqi të procesit të fiskalizimit.
Po ashtu, Kuvendi, ka miratuar dhe ndryshimet e reja në Aktin Normativ që parashikon mbylljen e diskove, klubeve të natës dhe lounge bareve, si dhe ndalimin e muzikës pas orës 20:00.
Akt Normativ nr. 30, datë 20.07.2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në aktin normativ nr. 3, datë 15.03.2020 të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19” të ndryshuar”” ka marrë 87 vota pro, 11 kundër dhe abstenim.
Duke prezantuar ndryshimet në Aktin Normativ dhe penalitetet, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojet Sociale Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se klubet e natës u kthyen në vatra të përhapjes së infeksionit dhe se do të ndërmerret cdo masë që do të vlerësohet e nevojshme për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.
“Vendosja e penaliteteve të shtuara për klubet e natës, diskove apo çdo lloj shërbimi të kësaj natyre të cilat kanë patur detyrimin në fakt që në krye të herës për të mos u hapur, është një masë që ndërmerret për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Sepse ato janë kthyer në vatra potenciale infeksioni. Të rinjtë po bëhen vektorë të shpërndarjes së infeksionit tek moshat e tjera, tek prindërit dhe tek të moshuarit apo tek ata më të dobëtit. Detyrimi që vendoset tani nëpërmjet këtij Akti Normativ, jo vetëm përcakton rritje të masës së penalitetit por gjithashtu vlerëson një pezullim për një periudhë 1-vjeçare në rastet kur këto subjekte nuk i binden këtij ligji”, tha Manastirliu./ Opinion.al