Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit Donald Trump, Robert O’Brien, ka rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Shtëpia e Bardhë e cila në deklaratën e saj zyrtare njofton se këshilltari ka simptoma të lehta dhe ka pothuajse një javë që punon i vetë-izoluar larg zyrës së tij në Uashington.
O’Brien bëhet kështu zyrtari më i lartë amerikan i prekur nga pandemia. Ai është një nga personat më të afërt me Presidentin e SHBA por takimi i tyre i fundit ka ndodhur para dy javësh.
Ai ishte i angazhuar në një tur në Europë ku ka takuar përfaqësues të lartë nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.
O‘Brien u emërua pas mosmarrëveshjes së Trump me këshilltarin e mëparshëm, John Bolton.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, presidenti Trump nuk rrezikohet nga ky rast, por gjatë javëve të fundit disa punonjës të kafeneve në Shtëpinë e Bardhë kanë rezultuar pozitivë. /Opinion.al