Presidenti Meta ka njoftuar se ka pritur sot në Presidencë, Alvin Berishën, vogëlushin 11-vjeçar që shpëtoi disa muaj më parë nga kampi Al-Hol në Siri.
“I lumtur të prisja sot në Presidencë dy miq të veçantë, Alvin Berishën dhe babain e tij, Afrimin”, shkruan Presidenti Meta në Tëitter.
Ajo që bie në sy është ndryshimi i Alvinit gjatë këtyre muajve. Ai është rritur dhe duket më i shëndetshëm.
Alvin Berisha preku zemrat e shumë qytetarëve jo vetëm në Shqipëri por edhe në Itali ku historia e tij u bë fillimisht publike në emisionin “Le Iene”.
Ai jetonte me familjen në Itali, por nëna e tij e cila ishte radikalizuar në mbështetëse të ISIS, e mori me vete në vitin 2014 në Siri. Që prej asaj kohe, ai i kishte humbur gjurmët, por u gjet nga emisioni investigativ “Le Iene”, i cili u vu në kërkim të tij me kërkesë të babait të 11-vjeçarit.
Alvin Berisha qëndronte në kampin sirian Al-Hol që prej 14 Marsit 2019, pas shtrimit në një spital në rajonin Hasakah të Sirisë, për shkak të plagosjes në këmbë nga një shpërthim ku humbi nënën.
Në nëntor të vitit të shkuar ai u rikthye në Romë pas një përpjekjeje të autoriteteve italiane dhe shqiptare dhe organizatave humanitare në Siri./ Opinion.al