Zyrtarë të kompanive kryesore farmaceutike do të dëshmojnë sot para një komiteti të Kongresit amerikan, në lidhje me vaksinat që po zhvillojnë për të luftuar pandeminë e koronavirusit.
Zyrtarët nga AstraZeneca, Johnson & Johnson, Merck & Co., Moderna dhe Pfizer do të dëshmojnë para Komitetit të Energjisë dhe Tregtisë.
Pesë kompanitë, së bashku me disa të tjera, janë në garë për të zhvilluar vaksinën kundër sëmundjes që e shkakton koronavirusi, COVID-19 dhe Shtetet e Bashkuara kanë dhënë miliarda dollarë për financimin e disa prej tyre.
“Seanca do të ofrojë mundësi për Kongresin por edhe për popullin amerikan që të dëgjojnë drejtpërdrejt disa prodhues, që aktualisht janë duke zhvilluar vaksina potenciale kundër COVID-19”, tha Komiteti për Energji dhe Tregti.
Seanca vjen një ditë pasi Universiteti i Oksfordit ka njoftuar se një vaksinë që ka zhvilluar kundër koronavirusit, duket se është e padëmshme dhe forcon sistemin imunitar.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, së paku 23 vaksina të mundshme janë duke u testuar aktualisht në njerëz, teksa së paku 100 vaksina të mundshme kundër COVID-19 janë duke u zhvilluar në të gjithë botën./Opinion.al