Kryeministri Rama ka reaguar përmes një postimi në tuiter lidhur me ndryshimet kushtetuese të miratuara sot në Parlament. Duke iu përgjigjur një reagimi të presidencës mbi këtë argument I cili kërkoi distancim nga kjo nismë, Rama e cilëson presidentin opozitë presidenciale, ndërsa opozitës jashtëparlamentare i thotë se marrëveshja do të zbatohet në çdo pike.
LEXO EDHE-Ndryshimet kushtetuese/ Presidenca: Distancohuni nga Haxhi Qamilët
“Shoh agjitim në radhët e opozitēs jashtëparlametare dhe asaj presidenciale për hapin e hedhur sot në Kuvend drejt hapjes së listave! Jashtëparlamentares i kujtoj se kemi një marrëveshje e do ta zbatojmë në çdo pikë, po kjo s’do të thotë që sharjet e provokimet nuk e rrezikojnë..
Presidenciales i kujtoj se Kuvendi është sovran, i dëgjon të gjithë po vendos vetë! Dhe hapja e listave për t’i dhënë mundësi edhe qytetarëve e jo vetëm kryetarëve të zgjedhin deputetë, si dhe garantimi i përfaqësimit të grave në kushtet kur listat hapen, i bëjnë mirë vendit…
As Jashtëparlamentarja, as Presidencialja s’duhet tê merakosen për fatin e koalicioneve parazgjedhore, sepse askush nuk do t’i ndalojë të vazhdojnë ta ndajnë ombrellën e opozitës së bashkuar edhe në zgjedhje! Taksirat ta ndjekin parlamentin që e duan s’e duan është vendimmarrësi!”, shkruan Rama/.
Ditën e sotme Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit votuan nen për nen duke miratuar me konsensus pa asnjë votë kundër ndryshimet Kushtetuese.
Thelbi i ndryshimeve është pika nr.3 e nenit 64 të Kushtetutës, e cila përcakton hapjen e listave zgjedhore për kandidatët. Megjithatë, pavarësisht se përmes kushtetutës i hapet rruga këtij veprimi, ligjvënësit nuk e kanë specifikuar këtë duke theksuar se gjithçka do të përcaktohet përmes Kodit Zgjedhor.
Në Kushtetutën e ndryshuar ruhet gjithashtu edhe sistemi proporcional rajonal, për të cilin kishte këmbëngulur më herët kryeministri Rama. Po ashtu, në ndryshimet Kushtetuese nuk përcaktohet pragu elektoral duke ia lënë këtë sërish Kodit Zgjedhor. /Opinion.al