Kryeministri Rama ishte në Tepelenë ku inspektoi punimet e përfuduara të Bypasit të Tepelenës dhe disa projekte të tjera në zhvillim. Gjatë kësaj vizite kreu i qeverisë ishte i shoqëruar nga ministrja Belinda Balluku, deputetja Mirela Kumbaro dhe kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi.
Gjatë diskutimit për projektin e rrugës që do të lidhë Tepelenën me zonën e bregdetit, kryeministri Rama kujtoi një bisedë me këngëtarin Golik Jaupi i cili disa vite më parë i kishte thënë që të mos e premtonte këtë gjë sepse nuk ishte bërë as nga “komandanti i tij” duke iu referuar ish-diktatorit Enver Hoxha.
“Nuk e bëri komandanti i tij por e bëri komandanti im”, ishte përgjigja e kryebashkiakut të Tepelenës.
Kryeministri Rama tha se kur Peçi kishte marrë mandatin e kryebashkiakut, Tepelena ishte një “xhep fallco” por me investimet e kryera tashmë ajo do të kthehej në një nyje lidhëse për qarkun.
“Ishe një xhep fallco kur u bëre kryetar bashkie. Kishe nje grumbullim banesash në anë të një shtegu dhish që kalonte këtu po në vend të dhive ishin makinat. Shiko si është bërë tani dhe nuk ka mbaruar akoma“, tha Rama.
Kreu i Bashkisë vijoi më tej me vlerësimin ndaj punës së qeverisë së kryeministrit Rama.
Tërmet Peçi: Kryetar bashkie ka pasur më të mirë se unë, do vinë edhe shumë më të mirë se unë, por kryeministër që të marrë përsipër dhe të bëjë realitet gjithë këto vepra
Edi Rama: Lëri këto fillove tashi.
Tërmet Peçi: Jo është një gjë që duket. Fshati që duket nuk do kallauz themi ne. /Opinion.al