Shtetet e Bashkuara kanë shënuar një rekord të ri prej 66 mijë rasteve të reja me koronavirusin në 24 orë. Në mesin e shteteve më të goditura janë: Kalifornia, Teksasi dhe Florida – tri shtetet më të populluara.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vizituar një spital ushtarak të shtunën ku është parë për herë të parë duke mbajtur maskë. Ai më parë ishte kritikuar për mosmbajtje të maskës gjatë takimeve me zyrtarë në Shtëpinë e Bardhë dhe gjatë paraqitjeve publike.
Vizita e tij vjen pasi Shtetet e Bashkuara janë në një periudhë të vështirë dhe sfiduese të luftës kundër koronavirusit.
Më shumë se 3.2 milionë persona në Shtetet e Bashkuara, janë të infektuar me virusin COVID-19, derisa 134,000 kanë humbur jetën.
Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të SHBA-së për Alergji dhe Sëmundje Infektive, tha ditë më parë se rritja e numrit të të infektuarve dhe viktimave vjen pasi shumë shtete të SHBA-së filluan rihapjen e bizneseve dhe lehtësimin e urdhrave të qëndrimit në shtëpi përpara se të shihnin një ngadalësim të shkallës së infeksionit.