Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër urimi Presidentit të SHBA Donald Trump përmes së cilës ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 244 vjetorit të pavarësisë.
Meta shpreh mirënjohje për paraardhësit e Trump, ku thekson se parimet demokratike të vendosur prej tyre janë udhëzime për çdo shtet demokratik.
Po ashtu Meta shkruan; “Ky përvjetor mbërrin në një kohë shumë të vështirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për mbarë botën, pasi pandemia e COVID-19 është përhapur në të gjithë rruzullin tonë me efektet e saj serioze dhe të paparashikueshme.”
Presidenti shkruan në letër se Shqipëria është gjithmonë krah SHBA për të mbështetur interesat e të dy palëve.
Letra e Metës
I nderuar Zoti President, Donald J. Trump!
Viti 2020 shënon 244-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, një trashëgimi e përbashkët e lirisë dhe përkujtimit të udhëtimit, si dhe të sakrificave të popullit të madh amerikan, që e bënë këtë komb kaq të fortë e të begatë.
Etërit tuaj Themelues e dinin shumë mirë çmimin e lirisë, sepse u zotuan të jepnin jetën, fatin dhe nderin e tyre të shenjtë për të shpallur pavarësinë, si dhe për të mbrojtur të drejtat e dhëna nga Zoti.
Këto themele të qëndrueshme mbeten edhe sot e kësaj dite parimet kryesore të ekzistencës së kombeve demokratike.
Ky përvjetor mbërrin në një kohë shumë të vështirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për mbarë botën, pasi pandemia e COVID-19 është përhapur në të gjithë rruzullin tonë me efektet e saj serioze dhe të paparashikueshme.
Ne jemi optimistë se forca e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do t’ia dalë mbanë të mbizotërojë kundër kësaj pandemie dhe se ato do të ngrihen edhe më të fortë se kurrë, duke qenë njëkohësisht mirënjohës për mbështetjen dhe ndihmesën bujare që qeveria juaj na ka dhënë teksa ne po përballemi me sfidat e pandemisë.
I dashur Zoti President,
Ndërsa 4 korriku po troket në prag, populli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe aleatët e tij do të festojnë lindjen e kombit tuaj të madh.
Po e shfrytëzoj këtë rast, që në emrin tim dhe atë të popullit shqiptar, t’Ju uroj Ju dhe mbarë popullin amerikan: “Gëzuar 4 korrikun!”, si dhe t’Ju shpreh urimet e mia më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj dhe përparimin e mëtejshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!
I njëjti mesazh urimi iu shkon të gjithë shqiptaro-amerikanëve, të cilët kanë kontribuar ndjeshëm për forcimin e marrëdhënieve tona, duke shërbyer në këtë mënyrë si një urë lidhëse për miqësinë tonë afatgjatë e të fortë.
Kam kënaqësinë t’Ju përcjell i dashur Zoti President, vendosmërinë e Shqipërisë për të qenë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mënyrë që t’i shërbejmë interesit të përbashkët të të dy kombeve tanë miq, teksa Shtetet e Bashkuara festojnë 244-vjetorin e Pavarësisë dhe ripërtërijnë energjinë e tyre për t’u përballur me sukses me sfidat e kohës sonë. Uroj që lidhjet tona të forcohen edhe më tepër, ndërsa ne i gëzohemi miqësisë sonë të bekuar! Ju lutem pranoni, zoti President, sigurimet e vlerësimit tim më të lartë! ????
Edhe kryeministri Edi Rama ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me rastin e 244 vjetorit të pavarësisë së saj.
Rama e ka bërë urimin me anë të një video, ku shihen disa nga figurat më të shquara në historinë e Amerikës, ku nuk mungon Abraham Lincoln, Woodrow Wilson, George Bush, John Kennedy dhe Martin Luter King.
Pamjet në video janë edhe nga ardhja e Presidentit George Bush në Shqipëri, ndërsa shihet pjesa e fjalimit të tij, kur shprehet se Kosova do të jetë e pavarur.
SHBA njihen si një nga mbështetësit më të madh të Shqipërisë, ndërsa ishin edhe mbështetësit kryesorë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Por në 4 korrik është njëkohësisht edhe ditëlindja e kreut të qeverisë i cili sot feston 56-vjetorin.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha uroi festën e pavarësisë së SHBA, duke shpërndarë një postim të ambasadores amerikane Yuri Kim nga pritja në rezidencën e saj për autoritetet më të larta të shtetit dhe kreun e opozitës.
Basha falënderon qeverinë amerikane për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj vendit tonë.
“Faleminderit ambasadore Yuri Kim për mikpritjen tuaj të këndshme. Faleminderit popullit dhe qeverisë suaj për ndihmën dhe mbështetjen e pazëvendësueshme në këto kohë sfiduese. Për të gjithë miqtë tanë amerikanë: GËZUAR 4 KORRIKUN! Zoti e bekoftë Amerikën dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë!”- thuhet në mesazhin e liderit të opozitës në festën kombëtare të SHBA./ Opinion.al