Gjykata e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të kthejë për rigjykim dosjen ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Treshja e gjyqtarëve Albana Boksi, Nertila Kosova dhe Dhimitër Lara morën vendimin për të prishur vendimin e Shkallës së parë duke e çuar për rigjykim çështjen “Tahiri”.
Kjo do të thotë se tashmë dosja do të kalojë në Gjykatën e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Aty do të hidhet shorti për të përcaktuar trupën gjykuese ndërkohë duhet theksuar fakti se ish-ministri Tahiri do të vijojë të përfitojë nga gjykimi i shkurtuar.
Vendimi i Apelit të Posaçëm ndaj ish-ministrit Tahiri ishte shtyrë dy herë. Ai ishte parashikuar që të jepej në 11 qershor, ku Tahiri paraqiti dhe një mbrojtje voluminoze prej rreth 130 faqesh. Gjykata vendosi të merrte kohë dhe të shprehej më 24 qershor. Por gjatë kësaj kohe një anëtare e trupës gjykuese, Nure Dreni, u zëvendësua pasi u shkarkua në vetting më 17 qershor. KLGJ e zëvendësoi atë me Dhimitër Larën. Gjatë seancës së 24 qershorit gjyqtari kërkoi më shumë kohë që të njihej me të gjitha aktet e dosjes voluminoze.
Vitin e kaluar Saimir Tahiri u dënua me 5 vite burg të konvertuara me gjykim të shkurtuar në 3 vite e 4 muaj shërbim prove dhe dënimi u dha për shpërdorim detyre. Prokuroria e Krimeve të Rënda nga ana tjetër kërkonte 12 vite burg për Tahirin për 3 vepra penale “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.
Si përfundim të dyja palët, si Tahiri dhe Prokuroria nuk pranuan dënimin me 3.4 vite shërbim prove dhe e apeluan zyrtarisht në Gjykatën e Posaçme të Apelit e cila sot e prishi atë për ta khyer përballjen e Saimir Tahirit me drejtësinë sërish në pikën zero. /Opinion.al