Policia ka dhënë informacion zyrtar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Gjirokastrës, ku kanë mbetur të plagosur një grua 59 vjeçe dhe një agjent i Policisë.
Sipas policisë, një 29-vjeçar i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor ka plagosur me gërshërë nënën e tij dhe e ka kërcënuar për ta vrarë. Në momentin që policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes për të neutralizuar agresorin, ky i fundit ka tentuar të vriste nënën e tij dhe para efektivëve.
Por, në atë moment një nga agjentët e Policisë Kriminale ka ndërhyrë për të shmangur goditjen dhe për pasojë autori e ka plagosur në gjoks.
Agjenti i Policisë është transportuar në spital së bashku me nënën e 29-vjeçarit për ndihmë mjekësore dhe fatmirësisht të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Me ndërhyrjen e punonjësve të tjerë të Policisë është bërë neutralizmi i 29-vjeçarit, i cili ndodhet i shoqëruar në ambientet e Policisë.
Gjirokastër/Informacion paraprak
Në gjendje depresive, 29-vjeçari plagosi nënën me gërshërë, plagosi rëndë dhe një punonjës policie që ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e veprimeve agresive të mëtejshme të autorit ndaj nënës së tij.
Rreth orës 20:05, në Sallën Operative ka ardhur njoftim se shtetasi K. A., 29 vjeç, banues në lagjen “11 Janari”, Gjirokastër, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor, kishte plagosur me gërshërë nënën e tij dhe po e kërcënonte për ta vrarë.
Menjëherë ka shkuar Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Gjirokastër dhe agjentët e Policisë Kriminale, të cilët i kanë bërë thirrje 29-vjeçarit të dorëzohej, por ky i fundit ka tentuar të vriste nënën e vet dhe në atë moment agjenti i Policisë Kriminale E. L., 30 vjeç, ka ndërhyrë për të shmangur goditjen dhe për pasojë autori ka plagosur në gjoks punonjësin e Policisë, i cili është transportuar së bashku me nënën e 29-vjeçarit, shtetasen I. A., 59 vjeçe, në Spitalin Rajonal Gjirokastër, për ndihmë mjeksore.
Momentalisht shtetasja I. A. dhe punonjësi i Policisë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Me ndërhyrjen e punonjësve të tjerë të Policisë është bërë neutralizmi i 29-vjeçarit, i cili ndodhet i shoqëruar në ambientet e Policisë./ Opinion.al