Gjatë një takimi me përfaqësuesit e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, kreu i Partisë Demokratike shpalli tre nga prioritetet forcës politike që ai drejton.
Kriza si pasojë e pandemisë ka sjellë shtyrjen e pagesës së kësteve të kredive por nga ana tjetër edhe mungesën e likuiditetit “veçanërisht institucionet e mikrokreditit”.
Sipas kreu demokrat vonesa në ripagimin e kësteve dhe shtyrjet e detyruara kanë ulur me 60% arkëtimet vetëm në institucionet e mikrokreditit.
Deri më sot janë 175.000 vende pune të krijuara nga bizneset e financuara prej institucioneve të mikrokreditit, ku vetëm gjatë 2019 këto institucione kanë mbuluar 68% të të gjithë kërkesave për kredi në vend.
Për shkak të situatës ekonomike që po kalon vendi, është vështirësuar suksesi i bizneseve të konsoliduara dhe mundësia hapjes së bizneseve të reja. Lufta për mbijetesë ka bërë që shumë biznese të mbyllin vende pune, ku më të prekurit janë të rinjtë.
Në këtë kuadër, fuqizimi i biznesit të vogël, hapja e bizneseve të reja kryesisht nga të rinjtë dhe punësimi i tyre, mbështetja e bujqësisë, janë tre nga prioritetet e deklaruara nga Lulzim Basha.
“Në planin tonë, ne planifikojmë garanci shtetërore ndaj institucioneve të mikrokreditit për të ndihmuar ato në kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të drejtuara kryesisht nga të rinjtë, ndërsa me prioritet do të konsiderohet dhe mbështetja për bujqësinë.
Programi ekonomik i Partisë Demokratike ka në fokus të tij uljen e barrës fiskale sidomos për bizneset e vogla, mbështetjen me subvencione ndaj fermerit me të paktën 100 milionë euro në vit, eleminimin e procedurave të tepërta burokratike dhe krijimin e kushteve për konkurrencën e lirë e të ndershme nëpërmjet një procesi dialogu me të gjithë aktorët kryesorë të tregut financiar.”, tha kreu i opozitës. /Opinion.al