Maqedonia e Veriut ka regjistruar të shtunën 11 viktima nga Covid-19, që paraqet shifrën më të lartë të viktimave që nga paraqitja e koronavirusit.
Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, tetë humbje jete janë regjistruar në Shkup, kurse pjesa tjetër në Kumanovë, Shtip dhe Tetovë.
Viktimat janë të moshës mes 53 deri në 76 vjeç, dhe po trajtoheshin në spitalin e Shkupit nga 5 qershori. Megjithatë ata ishin të sëmurë kronikë, dhe vuanin edhe nga sëmundje të tjera të rënda.
Me shifrat e sotme, numri i përgjithshëm i viktimave nga Covid-19, ka arritur në 233.
Sa i përket të infektuarve, pozitivë kanë dalë 185 persona. Deri më tani, në Maqedoninë e Veriut janë testuar 50,384 persona dhe prej tyre 5,005 janë diagnostikuar me koronavirus dhe nga ky numër, 2,868 janë ende pozitivë ndërsa 1,904 pacientë janë shëruar.
Sidoqoftë, drejtuesit e institucioneve kanë thënë se nuk planifikojnë rikthimin e masave, madje kanë vazhduar me lehtësimin e tyre dhe me vendim të qeverisë, kafenetë dhe objektet e hotelerisë në vend, nga e diela do të punojnë sipas orarit të punës të përcaktuar në licencat e tyre të punës, apo deri në mesnatë, ndërsa gjatë fundjavave deri në orën 01:00./Opinion.al