Ish-kryeministri, Albin Kurti ka reaguar pas vendimit të qeverisë së re në Kosovë për të shfuqizuar vendimin e reciprocitetit për mallrat serbe.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti shprehet se ky vendim është i paligjshëm në Kosovë, edhe në shërbim të Serbisë.
“Edhe të shtunën punojnë e mbajnë mbledhje vetëm dhe vetëm që ta heqin reciprocitetin ndaj Serbisë. Kosova ka pa numër probleme sociale dhe ekonomike, por ato nuk mund të kenë prioritet krahasuar me kërkesat e Serbisë. Kjo pra është qeveria e paligjshme e Kosovës. Pardje njoftuan mediat se 20 kamionë që kanë hyrë nga Serbia e respektuan masën tonë të reciprocitetit. Në dokumentet e tyre e kanë shkruar: Republika e Kosovës. Pra, ata po e zbatonin reciprocitetin. Por, pas vendimit të sotëm, nuk do të kenë më nevojë. Hoti ka deklaruar që i ka hequr pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Në këtë mënyrë, ai ia ka mveshur Kosovës fajin për mungesën e deritanishme të dialogut. Një shërbim kaq të mirë Serbisë nuk ka mundur as vetë Beogradi ta mendojë. Përveç që dialogu do të jetë asimetrik sepse me reciprocitet të braktisur nga ana e Kosovës, aty pala kosovare hyn si fajtore për vonesën në rifillimin e dialogut. Historikisht shqiptarët i kanë pasur dy rryma politike varësisht nga qëndrimet e tyre karshi Serbisë. As sot nuk është ndryshe, por, si rrallë herë më parë situata është qartësuar”,- shkruan Kurti.