Ditën e sotme kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është ndalur tek disa biznese në Tiranë. Kryedemokrati ka dëgjuar nga afër shqetësimet e tregtarve. Basha tha se situata e bizneseve është përkeqësuar pas situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.
Basha tha ndër të tjera se qytetarët duhet të bashkohen për të mirën e tyre dhe për një ekonomi më të fortë, për më shumë vende pune. Lideri i opozitës premtoi se me ardhjen e PD në pushtet do të ndihmojë bizneset, ndërsa shtoi se nuk do t’i vjedh ata si qeveria “Rama”.
“Një nga zonat më të frekuentura të qytetit është kjo, 1/3 e xhiros më pak në mes të Tiranës. Nuk arrin dot të paguajë qiranë njëra, ndërsa zonja pronarja nuk merr dot qiranë. 60 biznese në ditë janë mbyllur. Kjo është fushëbeteja e vërtetë, ky është fronti i vërtetë, kjo është drama e madhe. Ne si PD në qendër të vëmendjes do kemi luftën ndaj varfërisë, ndërkohë që kryeministri harxhon mijëra euro për një udhëtim me charter që nuk na e tregon edhe pse ka shkuar. Beteja e PD do fokusohet tek njerëzit. Ne kemi zgjidhje reale për qytetarët. Ai e ka shkatërruar për 7 vite ekonominë dhe bizneset tani do të na kopjojë, por ju e shihni vetë si po zhytet ekonomia”,- tha kryedemokrati.
Ndër të tjera ai tha: “Të bashkohemi të gjithë për një ekonomi më të fortë, të ndihmojmë biznesin, konsumin dhe jo një grusht oligarkës. Duam punësim për të gjithë dhe jo skllevër për 5 oligarkë”./ Opinion.al