Ish-gjyqtarja e Apelit Shkodër, Hajrie Muçmata, ka kallëzuar në SPAK gjyqtaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), Alma Faskaj.
Në padinë e saj, Muçmata akuzon Alma Faskajn se ka kryer veprën penale të “falsifikimit të dokumentave” pasi siç pretendon ajo, gjyqtarja e KPK nuk ka deklaruar se në vitin 1996 është shkarkuar nga detyra nga KLD për “shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë”.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është shkalla e parë e vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët. Në nëntor të vitit të shkuar, trupa gjykuese e kryesuar nga Firdes Shuli, Alma Faskaj relatore dhe Pamela Qirko anëtare, vendosi të shkarkojë nga detyra Hajrie Muçmatën për deklarim të pasaktë të ardhurave të saj pasi e kishte rivlerësuar vetëm në kriterin e pasurisë.
Por tashmë Muçmata pretendon se Faskaj është në detyrë kundër parashikimit të ligjit për anëtarët e trupës gjykuese të organeve të vetingut.
Disa ditë më parë, SPAK vendosi pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimi (shkalla e dytë e vetingut), Luan Daci pasi sipas tyre ai nuk kishte deklaruar se ishte shkarkuar nga detyra nga KLD për “shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë” në vitin 1996.
Nëse akuzat ndaj Alma Faskajt provohen, atëherë ajo bëhet anëtarja e dytë e trupës gjykuese të organeve të vetingut që ka shkelur ligjin duke mos deklaruar shkarkime të mëparshme nga detyra. /Opinion.al