Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi në një konferencë për media, se ka pranuar vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese rreth çështjes së mandatarit për formimin e qeverisë së re.
“Tani është hapur rruga për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Shpresoj se do të jetë kapitull i ri për stabilitet dhe zhvillim”, u shpreh ai.
Sipas tij, Kosova tani duhet të marrë dy hapa urgjentë, të vazhdojë kujdesin në përballjen me pandeminë, dhe të prezantohet plani për rimëkëmbjen ekonomike nga qeveria e re.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në kuvend nënshkrimet për thirrjen e seancës në të cilën pritet të votohet qeveria e re.
Kujtojmë se diskutimet për qeveri të re kanë nisur pas rrëzimit të qeverisë, tashmë në detyrë, të udhëhequr nga Albin Kurti, përmes një mocioni të organizuar nga LDK-ja.
Në mesin e arsyeve për mocion, kjo parti kishte përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga posti i ministrit të Brendshëm./Opinion.al