Gjykata e Tiranës ka vendosur anulimin e izolimit për 5 anëtarë të grupit Avdylaj. Personat në fjalë u përplasën me policinë për shkak të një celulari që u gjet në qeli.
Në lidhje me sherrin që ndodhi në paraburgimin “313”, drejtori i burgjeve, Agim Ismaili kërkoi 3 muaj izolim për 5 anëtarët e grupit Avdylaj.
Në seancë u vëzhguan 1 orë e 30 minuta pamje filmike dhe në fund gjykata vendosi të rrëzojë pretendimin e Ismailit. Avokatët për Abc News bëjnë të ditur se në pamjet filmike duket se Avdylajt nuk janë përplasur me policinë.
Shkresa për izolimin e Hajri Seferit, Astrit Avdylin, Altin Avdylin, Saimir Gjepalin dhe Giovani di Cosimo mban datën 23 maj dhe iu dërgua Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për të shqyrtuar nëse vendimi ishte i drejtë./ Burimi: Abcnews