Një 25-vjeçar është ekzekutuar në Vlorë pak minuta pas mesnate pas një atentati në dukje të mirëmenduar.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Uji i Ftohtë”, pranë zonës së quajtur “7 pallatet”. Viktima është Kristian Breshanaj 25-vjeç, djali i një mjeku reanimator në spitalin e Vlorës. Mësohet se 3 muaj më parë ai ishte kthyer nga Belgjika.
Pas ngjarjes policia ka nisur hetimet për zbardhjen e saj dhe kapjen e autorëve. Gjatë kërkimit është gjetur në flakë në një nga rrugicat e lagjes “10 Korriku” Vlorë, një automjet BMW brenda së cilit ndodhej edhe një kallashnikov i cili mendohet të jetë arma e krimit.
Njoftimi i Policisë:
Në lagjen “Uji i Ftohtë”, pranë zonës së quajtur “7 pallatet”, në rrethana ende të paqarta është vrarë në rrugë dyshohet me armë zjarri shtetasi K. B., 25 vjeç.
Forca të shumta të policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, janë ngritën pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për kapjen e autorit/ëve.
Gjatë krehjes së zonës, në një nga rrugicat e lagjes “10 Korriku” Vlorë, shërbimet e Policisë kanë konstatuar në flakë një automjet, brenda të cilit është gjetur një armë zjarri automatik kallashnikov, e cila dyshohet të jetë arma e krimit.
Policia e Vlorës ka nisur të shoqërojë persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e krimit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për grumbullimin e çdo prove të vlefshme me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. /Opinion.al