Në një intervistë për Opinion.al, Albana Pelinku, Drejtore e Departamentit të Riskut pranë institucionit financiar NOA, ka folur mbi vështirësitë, risqet me të cilat është përballur çdo biznes në vend i prekur prej pandemisë. Gjithashtu përpos vështirësive ajo ka folur edhe për mbështetjen që mikrofinanca ofron në këtë përiudhë për të suportuar bizneset në ‘rimëkëmbjen’ e tyre.
Cilat janë rreziqet që po kalon biznesi familjar dhe fermeri shqiptar në këtë periudhë?
Pandemia globale ishte një skenar risku i pavlerësuar më parë, nga të gjitha risqet që institucionet financiare mund të vleresonin. Fillimi i pandemisë, solli paralizim të pjesës më të madhe të aktiviteteve si pasojë e kufizimeve të vendosura, ndërkohë që njëkohësisht solli edhe pasigurinë që vinte si pasojë e mosnjohjes së të ardhmes e cila vazhdon edhe në këto ditë.
Duke vlerësuar situatën, risqet që po kalojnë bizneset e vogla , familjet apo edhe fermerët të cilët janë prekur në mënyrë të tërthortë, qëvijnë si pasojë e kufizimeve të aktiviteteve normale ditore, janë rënia e të ardhurave dhe ngërci për likuiditet, faktorë që impaktojnë edhe më shumë në përkeqësimin e këtyre treguesve mbi pasigurinë për të ardhmen.
Nje nga risqet që po kalojnë bizneset e vogla familjare dhe fermerët janë humbjet për shkak të kostove fikse/operative gjatë kohës që aktivitetet kanë qënë të mbyllura. Këtu mund të citojmë psh. pagesën e qirasë, utilitetet, tatimet e taksat, shpenzimet e interesave të cilat ose do të paguhen, duke shkaktuar jo vetëm mungesën e fitimit por edhe humbje; ose do të njihen si detyrime për tu paguar më vonë duke rritur kështu edhe barrën e borxhit.
Një rrezik tjetër jane edhe humbjet për shkak të sezonalitetit. Një pjesë e mirë e këtyre bizneseve kanë blerë inventar për sezonin paraardhës ndërkohë që mbyllja prej pandemisë bëri që ky sezon të kalonte dhe tashmë bizneset e vogla duhet të përgatiten dhe të kenë inventar për sezonin e tjetër. Ky investim i mbetur stok shoqërohet me mungesë likuiditeti ,pasi inventari nuk është kthyer në para për të investuar në sezonin e ri. Nga ana tjetër fermerët shqiptarë që kanë dalë me prodhimet e stinës në këtë periudhë kanë patur problem kryesor mungesën e tregut të shitjes së produkteve si rrjedhim i mbylljes së tregjeve vendase dhe pezullimit të eksporteve. Kjo ju ka krijuar humbje të konsiderueshme dhe mungesë likuiditeti në këtë periudhë.
Së fundmi, mund të përmëndim dhe rrezikun e rënies së kapitalit – duke patur parasysh se bizneset familjare kanë norma fitimi dhe nivel kapitali që ndikohet nga shpenzimet për konsum familjar. Nëse atyre u mungojnë fitimet, u duhet të tërheqin para nga biznesi për të mbuluar shpenzimet familjare.
Megjithatë, pavarësisht identifikimit të këtyre risqeve në mënyrë kumulative apo individuale për çdo klient, rikujtoj që në asnjë moment NOA nuk ka pezulluar kredidhënien dhe ndihmën ndaj klientëve të saj.
Në cilën mënyrë mikrofinanca mund të ndihmojë sipërmarrjen dhe bujqësinë shqiptare?
Bizneset më të prekura nga kufizimet e vendosura për shkak të pandemisë, janë: profesionet e lira – zanatçinjtë, hidraulikët, elektricistët, ndërtuesit; turizmi, kryesisht ai familjar; artizanët; transporti i udhëtarëve, taksitë; baret dhe restorantet; tregtarët e veshmbathjeve; ambulantët; kopshtet/çerdhet private; fermeret e vegjël/ familjet e fermerëve.
Ajo që kanë të përbashkët të gjithë këto biznese është se pothuajse 90% e tyre janë biznese familjare ose të vogla, biznese që financohen kryesisht nga institucionet financiare jo-banka. Sipas të dhënave nga Shoqata e Institucioneve të Mikrofinancave (SHIM) , IFJB financojnë një pjesë të qënësishme të bizneseve të vogla dhe të mesme në vend dhe rreth 80% të portofolit të kreditimit në total të bujqësisë në vend. Ndërkohë që vetëm NOA në portofolin e saj ka 41 % biznese të vogla dhe familjare dhe 23 % e ka të përbërë nga sektori Agro ose e njohur ndryshe si Fermerët.
Reagimi i NOA në manaxhimin e kësaj situate ka qënë shumë i shpejtë me vëmendjen maksimale ndaj shërbimit të klientëve në çdo kohë e në çdo degë. Me evidentimin e risqeve të mundshme që klientët tanë mund të kalonin, NOA ndërmorri menjëherë një përqasje proaktive ndaj të gjithë klientëve të saj, duke kontaktuar respektivisht me të gjithë klientët në mënyrë që të njihej sa më mirë dhe të ishte sa më e qartë situata e secilit klient pa përjashtim. Të kuptoheshin sa më qartë vështirësitë që biznesi përkatës do kishte si pasojë e pandemisë globale dhe të vlerësohej periudha e nevojshme për rimëkëmbje, ishte suporti i parë që institucioni ndërmori për klientët e tij.
Mbi bazën e informacionit të marrë, fillimisht fokusi u drejtua drejt riskedulimeve, shtyrjes së pagesave të kësteve duke i ofruar një numër alternativash klientëve si dhe duke personalizuar alternativat e shtyrjes sipas tipologjisë së biznesit dhe impaktit afatgjatë apo afatshkurtër që parashikohej për këtë biznes.
Në paralel, u krijua dhe një produkt i ri i quajtur ‘Kësti Progresiv’, që synon financimin e klientëve tanë për shpenzime operative të impaktuar nga kriza aktuale, duke i dhënë mundësinë që të paguajnë një këst më të vogël dhe të përballueshëm për periudhën e parë derisa të rimëkëmben.
Ky është një moment shumë sensitiv për bizneset e vogla dhe fermerët shqiptarë pasi ato kanë nevojë për mbështetjen tonë, në mënyrë që të kapërcejnë situatën e vështirë ekonomike ku ata ndodhen aktualisht. Jemi në periudhën kur pothuajse janë hapur pjesa më e madhe e bizneseve dhe vërehet domosdoshmëria në rimëkëmbjen e aktiviteteve të tyre duke patur nevoja për likuiditet apo për lehtësime pagesash, ndaj e vlerësojmë këtë periudhë, si tepër të rëndësishme për të qënë pranë klientëve tanë dhe për ti ofruar suport financiar me produktet të përshtatura për nevojat e tyre
Gjatë gjithë periudhës së pandemisë kemi qënë shume aktiv në ofrimin e lehtesive financiare nëpërmjet mundësive të shtyrjeve të kësteve për çdo klient të prekur në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe do të vazhdojmë ti suportojmë klientët tanë për çdo nevojë. Nga ana tjetër kemi vazhduar aktivitetin e kreditimit dhe do të vazhdojmë të jemi edhe më aktiv në periudhën në vijim.
Tashmë institucioni ynë ka rifilluar aktivitetin e plotë dhe jemi të gatshëm që të ndihmojmë bizneset e të gjithë sektorëve, duke suportuar edhe bizneset e prekura të cilat priten të hapen javët në vazhdim.
Pandemia ishte një sfidë për të gjithë ne, por NOA edhe njëherë tregoi që edhe në situatë pandemie misioni i saj vazhdon të jetë fuqizimi ekonomik për familjet dhe bizneset, si një faktor i rëndësishëm i zhvillimit të ekonomisë shqiptare, me qëllim përmirësimin e jetës së shqiptarëve.
Po NOA, si një institucion financiar, me çfarë vështirësish po përballet aktualisht ?
Si të gjithë bizneset e tjera, edhe NOA ka vlerësuar risqet e mundshme dhe skenarët pesimistë në raste stres testi. Në momentin fillestar kemi adaptuar menjëherë procesin e kredidhënies dhe vendosur kufizime të caktuara në shumën e financimeve apo autoriteteve vendimarrëse, masa këto të marra në kushtet kur ishte e paqartë për të gjithë sistemin financiar se sa kohë do të vazhdonin kufizimet; interpretimi jo i duhur i vendimarrjes për shtyrjen e pagesës së kësteve të kredisë , të cilat mund të çonin në mungesë likuiditeti; mungesa e një përkrahje nga ana e Qeverisë përsa i përket insititucioneve financiare jo-banka, duke mos i përfshirë në asnjë skemë mbështetje,përmend këtu Garancinë sovrane, ndërkohë që bizneset e prekura janë pikërisht ato të vogla dhe familjare që kanë akses në fonde pothuajse vetëm përmes mikrofinancave; si dhe së fundmi, në kushtet kur paqartësia se si do të silleshin partnerët ndërkombetar, të cilët injektojnë fonde përmes institucioneve financiare si NOA në ekonominë shqiptare.
Pavarësisht vështirësive të fillimit, mund të them me krenari se NOA ka arritur të menaxhojë situatën e Covid-19 në mënyrë të suksesshme, gjë e cila ka ardhur nga ndjekja e hapave strategjik të mirë përcaktuar si pasojë e vlerësimit të shpejtë dhe të saktë të skenarëve të risqeve të mundshme, shpejtësia në reagim dhe mitigimi i atyre situatave dhe risqeve të cilat do na çonin në ngerç përsa i përket likuiditetit,por mbi të gjitha punës së palodhur të të gjithë stafit për zbatimin me korrektësi të gjithë strategjive në kohën e duhur, duke u kujdesur njëkohësisht edhe për ruajtjen e shëndetit dhe respektimin e masave mbrojtëse.