Ministria e Mbrojtjes në Japoni po planifikon të hartojë protokolle për përballjet me UFO-t pas vendimit të fundit të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA për lëshimin e videove të objekteve misterioze.
The Japan Times raporton se Ministria do të shqyrtojë procedurat për t’iu përgjigjur, regjistruar dhe raportuar përballjeve me UFO-t pasi natyra e tyre e panjohur mund të shkaktojë konfuzion midis pilotëve të Forcave Mbrojtëse.
Videot e publikuara të hënën nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së ishin regjistruar në vitin 2004 dhe 2015. Disa tregojnë një objekt fluturimi eliptik me shpejtësi dhe manovrim të paparë në mjetet e njohura fluturuese.
Ministri i Mbrojtjes Taro Kono tha sipas mediave japoneze se pilotët japonezë nuk kanë hasur kurrë UFO por ministria do të hartojë protokolle për raste të tilla.
“Për të qenë i sinqertë, nuk besoj në UFO”, tha Kono. “Por pasi Departamenti i Mbrojtjes lëshoi një video të tillë, unë do të doja të dëgjoja nga pala amerikane në lidhje me qëllimin dhe analizën e saj.”
Sipas ministrisë, avionët luftarakë të Forcave Ajrore nga shtatë baza, duke filluar nga Hokkaido deri në Okinawa, janë grumbulluar për të monitoruar dhe identifikuar aeroplanët me kombësi të panjohur.
Nëse duket se një aeroplan i tillë mund të hyjë në hapësirën ajrore japoneze, luftëtarët i bëjnë thirrje të ndryshojë kursin në anglisht. Pasi të përcaktohet kombësia, kërkesa përsëritet në gjuhën e këtij vendi.
Nëse avioni hyn në hapësirën ajrore japoneze, avionët mund të gjuajnë të shtëna sinjalizuese, duke përfshirë predha gjurmuese dhe ta detyrojë atë të ulet. Është e paqartë nëse procedurat e tilla do të ishin efektive ndaj UFO-ve.
Është e mundur që UFO-t nuk mund të zbulohen nga sistemet e tokës me radarë dhe kështu mund të ndeshen nga aeroplanët japonezë në misione trainimi ose mbikëqyrjeje./ Opinion.al