Në Spanjë, një prej vendeve më të prekura nga koronavirusi, kanë nisur të mendojnë për pushimet e verës në kohë pandemie.
Autoritetet kanë menduar edhe për ndarje të bregdetit për grupmosha të caktuara. Në rajonin e Galicisë, plazhi Silgar do të ndahet në 5 zona të ndryshme, ku në secilën do të krijohen 780 hapësira të ndara nga njëra tjetra me litar, në një distancë prej 1,5 metra. Turistët do të duhet të qëndrojnë gjatë gjithë kohës brenda sipërfaqes prej 9 metra katrorë.
Ndërsa në plazh do të ketë dy hapësira, një për shëtitje dhe lojëra, dhe një tjetër për tualetet dhe dushet publike.
Ndërsa në Shqipëri, këtë verë, do të duhet të qëndrojmë 3 metra larg njëri-tjetrit në det, ndërsa çadrat në rërë do të jenë 3,5 metra larg njëra-tjetrës. Kështu është përcaktuar në draft-protokollin e përbashkët të Ministrisë së Turizmit dhe asaj të Shëndetësisë, që propozon masat që duhet të merren nga operatorët turistik për sezonin veror./Opinion.al