Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se francezët nuk do të jenë në gjendje të bëjnë udhëtime në vende të huaja këtë verë, madje edhe udhëtimet brenda Evropës mund të duhet të jenë të kufizuara, në mënyrë që të zvogëlojnë rrezikun e rigjallërimit të epidemisë së koronavirusit.
“Është shumë shpejt të themi nëse mund të bëjmë pushime. Ajo që mund të them është se do të kufizojmë udhëtimet kryesore ndërkombëtare, madje edhe gjatë pushimeve të verës. Ne do ta shohim më qartë situatën në fillim të qershorit”, u tha Macron gazetarëve gjatë një vizite në një shkollë jashtë Parisit.
Franca ka vendosur të përfundojë bllokimin në 11 maj. “BBC” shkruan se njerëzit do të lejohen të lëvizin deri në 100 kilometra rreth vendbanimit të tyre, pa një formë lejemarrjeje. Lëvizja përtej 100 km do të ketë nevojë për leje.
“Kujdes edhe në zonat e gjelbërta”
Macron bëri thirrje për kujdes dhe “pragmatizëm” në lidhje me udhëtimin jashtë zonës 100 kilometra, për të shmangur përshpejtimin e përhapjes së virusit në zona ku infeksioni është në nivele më të ulta. Në një intervistë me stacionet televizive franceze TF1 dhe France 2, Macron u bëri thirrje banorëve të zonave të gjelbëra që të bëjnë kujdes, duke ruajtur distancën sociale.
“Le të jemi shumë të qartë. Ne e dimë se si funksionon virusi dhe për cilët persona, ai është shumë i rrezikshëm,” tha presidenti francez. “Për dikë që është i dobët dhe i moshuar, edhe zona e gjelbërt është shumë e rrezikshme”.
“Jeta ekonomike duhet të rifillojë”
Më shumë se 300 kryetarë bashkish, përfshirë edhe kryebashkiaken e Parisit, Anne Hidalgo, i shkruajtën një letër të hapur Macronit, duke i kërkuar atij të vonojë kthimet në shkolla. Ata thanë se iu duhet më shumë kohë për riorganizimin e klasave dhe rutinave të përditshme. Por qeveria ka mbrojtur kryeministrin Philippe duke pohuar se, “jeta ekonomike duhet të rifillojë në mënyrë të domosdoshme dhe të shpejtë”.
“Unë e kuptoj shumë mirë ngurrimin e mësuesve, gjërat do të ndodhin me qetësi, me dialog, sepse askush nuk e di se sa kohë do të duhet të jetojmë me virusin. Ne nuk mund të vazhdojmë të themi për muaj me rradhë se vendi nuk po jeton më”, u shpreh Macron.
“Do të duhet të jetojmë me virusin”, tha Macron. “Ne duhej ta vendosnim këtë bllokim të paparë dhe tani ka ardhur koha të fillojmë një fazë të re, ku duhet të vazhdojmë të trajtojmë epideminë, duke mbajtur ende jetën e një kombi të lirë”.