Pas publikimit të raportit të organizatës “Freedom House”, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha shkruan se bashkë me maskat e skaduara të qeverisë, ka rënë edhe maska e skaduar e demokracisë fasadë në Shqipëri.
Kryedemokrati thotë se “institucionet e shtetit shqiptar nuk punojnë më për njerëzit, ato punojnë për një grup në pushtet që vjedh pasuritë publike, që gënjen dhe mashtron, dhe që i braktisi njerëzit gjatë pandemisë kur ata kishin më shumë nevojë se kurre për shtetin.”
Reagimi
Bashkë me maskat e skaduara të qeverisë, ka rënë edhe maska e skaduar e demokracisë fasadë në Shqipëri. Freedom House arrin në këtë konkluzion në raportin e saj të fundit që tregon se vendi ynë ka berë hapa prapa ne nivelin e demokracisë në vend: rënie në fushën e qeverisjes demokratike dhe procesit zgjedhor, vlerësim negativ për pavarësinë e gjyqësorit dhe për lirinë e mediave. Gjithashtu, ishte zhbërja e institucionit të parlamentit nga qeveria dhe maxhoranca që e detyruan opozitën të largohet nga institucioni.
Të gjithë e shikojmë sot në kohën e pandemisë dhe krizës ekonomike sa të vërteta janë këto raporte ndërkombëtare për dështimet e qeverisë. Sepse institucionet e shtetit shqiptar nuk punojnë më për njerëzit, ato punojnë për një grup në pushtet që vjedh pasuritë publike, që gënjen dhe mashtron, dhe që i braktisi njerëzit gjatë pandemisë kur ata kishin më shumë nevojë se kurre për shtetin.
Ne duhet t’ua kthejmë institucionet njerëzve, t’ua kthejmë qeverisjen e përgjegjshme njerëzve dhe të rivendosim standartet demokratike në vend. Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm! #ditemetemira/ Opinion.al