Kriza e koronavirusit ka mbyllur zhvillimin e dasmave në Shqipëri. Ato konsiderohen si aktivitet me rrezikshmëri të lartë pasi personat e kanë të pamundur të ruajnë distancimin social, kështu që qeveria ka vendosur që edhe kompanitë që merren me organizimin e tyre të mos e ushtrojnë këtë aktivitet. Por drejtuesi i kompanisë Geraldina Sposa, Armand Peza tha në studion e emisionit “Opinion” se kjo gjë nuk mund të kalohet thjeshtë pasi vetëm për dasma gjatë një viti në Shqipëri konsumohen 165 milionë euro minimumi.
“Në këto festa konsumohen rreth 165 milionë euro minimalisht dhe shifra që ne kemi llogaritur është mesatare e poshtë. Këtu nuk përfshihen dasmat dyshe, eventet. Tirana konsumon 48 milionë euro, vetëm ceremonitë”, tha Peza.
Ai tha se një nga propozimet që ata kishin bërë për rihapjen e këtyre aktiviteteve konsistonte në vendosjen e dy supervizorëve, një nga ministria e Shëndetësisë dhe një nga ministria e Brendshme.
“Unë kam propozuar një gjë që për cdo event të ketë nga 2 supervizorë, njëri nga ministria e shëndetësisë, që mund të jetë infermieri ndihmësmjeku i zonës. Një tjetër të jetë nga ministria e rendit. Kjo gjë bëhet vetëm nëqoftëse cifti organizator të mbyllë një kontratë me të zotët e shtëpisë dhe me ministrinë e rendit që nëqoftëse ka dicka që nuk shkon të pezullohet evneti menjëherë. Ta ketë tagrin ai përfaqësuesi i ministrisë së rendit që nëse ka dicka që nuk shkon ta pezullojë menjëherë eventin. E kemi bërë këtë si propozim por nuk kemi marrë asnjë përgjigje”. /Opinion.al