Organizata Botërore e Shëndetësisë është shprehu se pretendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se koronavirusi e ka origjinën në një laborator nga qyteti Vuhan i Kinës, janë “spekulative”.
OBSH-ja tha se nuk ka marrë prova nga SHBA-ja që e mbështesin një pretendim të tillë.
“Nuk kemi pranuar ndonjë të dhënë apo provë specifike nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara në lidhje me origjinën e supozuar të virusit. Kështu që nga këndvështrimi ynë, ky pretendim mbetet spekulativ”, tha drejtori për emergjenca pranë OBSH-së, Michael Ryan.
Ai po ashtu bëri thirrje për hetime të origjinës së virusit që “bazohen në shkencë” dhe jo në politikë.
Komentet vijnë një ditë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se “ka sasi të konsiderueshme të provave” se koronavirusi ka dalë nga një laborator i Vuhanit, edhe pse nuk dha më shumë detaje.
Transmetuesi shtetëror i Kinës i kritikoi ashpër komentet e Pompeos, duke i cilësuar ato si “të çmendura”.
CCTV tha përmes një raporti se pretendimi i Pompeos se “është një gënjeshtër e plotë”.
Rastet e para me koronavirus janë shfaqur në Vuhan të Kinës në fund të vitit të kaluar dhe, që atëherë, janë përhapur në mbi 180 vende të botës.
COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi, ka prekur mbi 3.5 milionë njerëz në botë dhe ka vrarë afro 250,000.