Ditën e djeshme një helikopter i Marinës Mbretërore Kanadeze në një mision të NATO-s, që mbante gjashtë anëtarë të Forcave të Armatosura Kanadeze, ra në Detin Jon në brigjet e Greqisë.
“Një viktimë u gjet dhe pesë janë të zhdukur.”, tha kryeministri kanadez , Justin Trudeau në një konferencë për shtyp.
Kontakti me helikopterin humbi kur ai po kthehej në anijen luftarake HMCS Fredericton nga një mision trajnimi, njoftoi shefi i stafit të mbrojtjes të Marinës, Gjeneral Jon Vance.
“Të gjithë janë heronj. Secili prej tyre do të lërë një boshllëk që nuk mund të plotësohet,” tha Trudeau.
“Në ditët në vijim, do të ketë shumë pyetje se si ndodhi kjo tragjedi,” tha Trudeau, duke shtuar se kanadezët “do të marrin përgjigje, në kohën e duhur”.
Grupet e kërkimi zbuluan trupin e 23-vjeçares Abbigail Coëbrough, babai i të cilës konfirmoi vdekjen e saj.
Ministri i Mbrojtjes Harjit Sajjan tha se shkaku i përplasjes ishte ende i panjohur por zëri i kabinës së helikopterit dhe regjistruesit e të dhënave të fluturimit ishin rikuperuar. Një fener automatik u zbulua gjithashtu në ujë.
Ndërkohë, kërkimi për helikopterian dhe pjesën tjetër të ekuipazhit vazhdon. Vance tha se një pjesë e copave të helikopterit ishte gjetur dhe se pjesa tjetër e mbeturinave mund të jetë në thellësi prej rreth 3.000 metrash.
Helikopteri që u zhduk të mërkurën në mbrëmje në perëndim të ishullit grek të Kefalonias kishte marrë pjesë në ushtrime së bashku me forcat italiane dhe turke.
Anija luftarake Fredericton është pjesë e një operacioni të NATO-s për të luftuar agresionin rus në Evropën Lindore dhe Jugore, tha Vance.
Ushtria kanadeze i ka vendosur të gjithë helikopterët Cyclone “në pauzë operative” derisa të verifikohet burimi i përplasjes, shtoi ai. /Opinion.al