Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar me një letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi pasi ky i fundit mblodhi partitë politike parlamentare për të vendosur në lidhje me qeverinë e re.
Kurti nëpërmjet letrës ka thënë që në asnjë rast nuk e ka refuzuar kërkesën dhe as propozimin e mandatarit, njofton Klan Kosova
“Përkundër që në asnjë rast nuk kemi refuzuar as kërkesën dhe as propozimin e mandatarit, sot, më 22.04.2020, kam pranuar një letër nga ju, përmes të cilës konstatoni jashtë kompetencave tuaja kushtetuese si President, se unë nuk e paskam shfrytëzuar të drejtën për propozimin e kandidatit të ri për të formuar Qeverinë.
Kushtetuta e Republikës nuk parasheh një kompetencë të tillë të Presidentit për të vlerësuar apo konstatuar shfrytëzimin apo mosshfrytëzimin e të drejtës për të propozuar mandatarin. Përveç kësaj, Kushtetuta e as Aktgjykimi Nr. 103/14 nuk kanë përcaktuar as afatin për një gjë të tillë. Kushtetuta çfarë parasheh në këtë rast është caktimi i mandatarit vetëm pas propozimit nga partia ose koalicioni që ka fituar shumicën absolute apo relative, siç përcaktohet edhe në pikën 84 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Andaj, bazuar në rolin dhe funksionin si President, ju nuk keni të drejtë e as autorizim kushtetues për të konstatuar se kemi refuzuar propozimin e kandidatit për kryeministër kur nuk e kemi bërë këtë; ju nuk e keni në mandat e kompetencë që të përcaktoni përtej Kushtetutës se si e çfarë do të jetë Qeveria, siç keni bërë këtyre ditëve në deklarimet publike; dhe, me keqardhje konstatojmë se ende nuk na jeni përgjigjur se në bazë të cilës pikë të nenit 95 po veproni dhe po na drejtoheni” , shkruan Kurti.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nisur takimin me liderët e partive politike, përshirë këtu edhe përfaqësuesen e Lëvizjes Vetëvendosje, në përpjekje të gjetjes së zgjidhjes për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Thaçi u është drejtuar përfaqësuesve të partive politike që të deklarohen se a janë për organizimin e zgjedhjeve apo për formimin e qeverisë së re.
Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje ka thënë se presidenti Thaçi është duke bërë shkelje kushtetuese me thirrjen e partive të tjera për t’u konsultuar për të formuar qeverinë e re.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se partia e tij është e gatshme të ndërmarrë iniciativë për të formuar shumicë parlamentare, pasi sipas tij, në kohën e pandemisë së koronavirusit, nuk mund të kërkohet të mbahen zgjedhje të reja.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se ky subjekt do të jetë në opozitë kështu që nuk pranon ftesa, siç ka thënë ai, as nga ata që shkojnë dhe e as nga ata që do të vijnë.
Takimi me liderët politikë, pason letrën që Thaçi i dërgoi liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes së cilës e ka njoftuar atë se pas mungesës së përgjigjes në lidhje me caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë, në bazë të autorizimeve kushtetuese, presidenti do t’i fillojë bisedimet me liderët e partive tjera politike. / Opinion.al