Ndërsa Partia Demokratike në mënyrë të vazhdueshme ka kritikuar qeverinë për masat ekonomike ndaj situatës së krijuar nga COVID-19, deputetja Jorida Tabaku publikon një tjetër fakt. Është fjala për një projektligj i cili është çuar në kuvend në datën 10 Prill nga deputetët socialistë, i cili do të përjashtojë nga tatimi mbi vlerën e shtuar importuesit e jahteve.
“Në kushtet kur paketat ekonomike të qeverisë janë thjesht deklarata dhe aspak të prekshme për shqiptarët, deputët socialistë kanë çuar në datën 10 prill në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj që do të përjashtojë nga TVSH (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) importin e jahteve. Pra disa ditë pasi i detyroi bizneset e goditura të vendit të paguanin TVSH-në kokërr më kokërr, qeveria merr vendimin për të përjashtuar importuesit e jahteve”, shkruan Tabaku në një publikim në rrjetet sociale.
“Kush janë të privilegjuarit e qeverisë në këtë kohë krize? As më shumë dhe as më pak janë të gjithë ata që importojnë jahte dhe mjete të tjera lundruese. Është jashtë çdo logjike normale ekonomike dhe njerëzore që në këto ditë të vështira për shqiptarët qeveria shqetësohet dhe harton ligje për të favorizuar ata që blejnë jahte”, shkruan deputetja demokrate e cila thotë ndër të tjera, se ndonëse qeveria nuk ka falur taksat dhe tatimet për biznesin e vogël në situatën ku ndodhet vendi, e zgjidh fare lehtë qesen kur bëhet fjalë për blerësit e jahteve.
“Për më shumë se 5 javë, nisur nga situata e vështirë e pandemisë, opozita ka kërkuar faljen e taksave dhe tatimeve për biznesin e vogël dhe të mesëm si një rrugë për të lehtësuar dhimbjet që po shkakton virusi në ekonomi. Përgjigja e vetme ishte refuzimi kategorik dhe sulmi politik nga ana e kryeministrit.
Me këtë akt qeveria e zgjidh fare lehtë qesen kur bëhet fjalë për blerësit e jahteve, ndërsa për 3 milionë shqiptarët nga të cilët mbi 500 mijë janë të punësuar në privat e njëjta qeveri nuk ka parà. Qartë e më qartë e ditë pas dite për 7 vjet me radhë , me çdo veprim dhe ligj të miratuar kjo qeveri dhe ky kryeministër tregojnë se janë thjesht dhe vetëm në shërbim të oligarkëve dhe jo të shqiptarëve”, shkruan Tabaku./Opinion.al