Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka ripërsëritur thirrjen e tij për qeverinë për lejimin e kalimit të qytetarëve në pikën kufitare të Kapshticës.
Basha propozon që të merren masa për transportimin e qytetarëve, strehimin e tyre në qendrën për karantinim në konvaleshencën e Durrësit si dhe të bëhet testimi i tyre për koronavirus.
“Është e pafalshme dhe çnjerëzore që prej 4 ditësh dhjetëra nga bashkëqytetarët tanë janë lënë në mëshirë të fatit, në tokë asnjëanëse mes Shqipërisë dhe Greqisë. Një braktisje e tillë mizore përbën një krim kaq të rëndë, sa asnjë shoqëri e civilizuar nuk mund ta falë, dhe që një prokurori me një fije integritet nuk mund të mos e hetojë. I bëj thirrje qeverisë të lejojë këta bashkëqytetarë të hyjnë në atdheun e tyre. Të merren masa për transportin dhe strehimin e tyre në qendrën për karantinim në konvaleshencën e Durrësit. Të bëhet testimi i tyre dhe më pas në varësi të gjendjes shëndetësore të dërgohen pranë shtëpive dhe familjeve të tyre. Braktisja e tyre në këtë kohë të vështirë është e papranueshme, është kriminale”, shkruan Basha.
Si pjesë e masave për të frenuar përhapjen e koronavirusit qeveria ka vendosur mbylljen e kufijëve për individët. Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që ndodhen jashtë kufijve që të mos përpiqen të vijnë në Shqipëri, pasi nuk do të lejohen të futen.
Më herët gjatë ditës së sotme edhe Presidenti Ilir Meta i bëri thirrje qeverisë që të respektojë detyrimet kushtetuese që ka shteti ndaj qytetarëve të vet në një situatë të tillë. /Opinion.al