Mbyllja e kufijve pas përhapjes së koronavirusit ka lënë në rrugë dhjetëra qytetarë shqiptarë që tentuan të hynë nga Greqia në Shqipëri. Aktualisht ata ndodhen në tokë neutrale, pa asnjë kusht duke u përballur dhe me temperaturat e ftohta gjatë natës.
Lidhur më këtë çështje ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili shprehet se ndalimi i tyre për të hyrë në atdhe e për tu kthyer në shtëpitë e tyre, është një akt kriminal dhe i papërgjegjshëm.
Kryedemokrati thekson se Qeveria shqiptare është përgjegjëse për jetën e çdo shqiptari dhe se ata nuk mund të trajtohen kurrësesi si refugjatë nga shteti i tyre. Basha thotë se vuajtjet e qytetarëve shqiptarë të mbetur në kufirin Greqi-Shqipëri duhet të marrin fund sot.
Reagimi
“Mbyllja e kufirit për dhjetëra shqiptarë në tokën neutrale Shqipëri-Greqi dhe ndalimi i tyre për të hyrë në atdhe e për tu kthyer në shtëpitë e tyre, është një akt kriminal dhe i papërgjegjshëm. Qeveria shqiptare është përgjegjëse për jetën e çdo shqiptari. Kushtetuta e Shqipërisë e detyron qeverinë të mos lërë pa atdhe asnjë shqiptar. Ata nuk mund të trajtohen kurrësesi si refugjatë nga shteti i tyre. Tragjedia që po luhet prej 4 ditësh para syve tanë me jetët e dhjetëra shqiptarëve duhet të marrë fund sot!”-shprehet Basha./ Opinion.al