Bota ndodhet në ankthin e një pandemie që ka shkaktuar mijëra viktima e të infektuar, ka kolapsuar sistemet shëndetësore, dhe ka paralizuar ekonominë botërore.
Megjithatë, jo të gjitha vendet janë prekur në të njëjtën mënyrë dhe sistemet e tyre shëndetësore kanë reaguar në forma të ndryshme. Kështu disa e kanë frenuar në mënyrë perfekte (Koreja e Jugut), disa janë thjesht me fat (Japonia) ose po konsiderohen imune (Ferrera Erbognone në Lombardi), të tjerë po konsiderohen “të pavdekshëm” (Gjermania), ndërsa disa të tjerë duket se nuk duan t’ia dinë fare (Suedia, Bjellorusia).
Japonia
Vendi aziatik nuk vendosi masa të ashpra ndaluese si Kina, nuk testoi në masë si Koreja e Jugut, megjithatë numrat e vdekjeve dhe të të prekurve ishin të pakrahasueshme me Italinë dhe Spanjën.
Qyteti më i prekur i Japonisë, Hokaido, ka hequr gjendjen e emergjencës. Disa zyrtarë ende mendojnë se Tokio mund të preket nga një shpërthim i dytë i virusit, por deri më tani asgjë nuk ka ndodhur.
Ferrera Erbognone në Lombardi
Italia është vendi më i goditur nga koronavirusi në botë. Me një rekord të frikshëm viktimash dhe një numër të lartë të të infektuarve, vendi fqinj po kalon një nga periudhat më të vështira të historisë moderne.
Rajoni më i goditur italian vijon të mbetet Lombardia. Mirëpo, në një prej komunave të saj, Ferrera Erbognone, me më shumë se 1 mijë banorë, nuk ka asnjë person të prekur.
“Tgcom24” shkruan se ky është një rast i pazakontë dhe ka detyruar ekspertët ta bëjnë atë objekt studimi.
Instituti Neurologjik Mondino i Pavias vendosi të ekzaminojë gjakun e banorëve për të identifikuar praninë e antitrupave.
Koreja e Jugut
U bë shembull botëror për frenimin e shpejtë të përhapjes. Vendi më parë është prekur nga SARS dhe MERS, viruse të së njëjtës familje me koronavirusin, dhe kanë një ide të qartë se si të përballen me viruset.
Koreja arriti të ndalojë përhapjen e koronavirusit në 7,5 milionë banorë me masa si testimi masiv, gjurmimi i kontakteve, distancimi social, higjena personale, dhe veshjet mbrojtëse.
Afro 20 mijë njerëz testohen çdo ditë për koronavirus në Korenë e Jugut, më shumë njerëz për frymë se kudo tjetër në botë.
Gjermania
Gjermania është përjashtim nga çdo vend tjetër i prekur nga koronavirusi sepse ka një shkalle shumë te ulët vdekshmërie, 800 vdekje në 73 mijë të të infektuar, që llogarit një përqndje shumë të ulët vdekshmërie, karahasuar të paktën me Spanjën që llogarit më shumë se 9 mijë viktima në 100 mijë të prekur apo Italinë që numëron më shumë se 10 mijë viktima në 105 mijë persona të prekur. Franca nga ana tjetër, e cila ka më pak persona të prekur se Gjermania, numëron 4 herë më shumë viktima. Nga 52 mijë të prekur, në Francë kanë humbur jetën më shumë se 3500 persona.
Sistemi shëndetësor apo arsye të tjera?
Ekspertet e shëndetit analizojnë se në Gjermani janë testuar shumë persona, përfshirë të rinjtë dhe personat e shëndetshëm, të cilët kanë pak ose aspak probabilitet të vdesin nga koronavirusi. Ndërkohë shteti gjerman ka parashikuar njëkohësisht të kryerjë testimin e të gjithë popullatës, për të parë antikorpet në gjakun e tyre, duke kuptuar kështu edhe personat që e kanë kaluar virusin pa dhënë simptoma.
Bjellorusia
Ndërsa tërë bota është në ankthin e goditjes, në një pikë të Europës jeta vazhdon normalisht.
I konsideruar si regjimi i fundit në Europë, Bjellorusia thuajse ka injoruar cdo paralajmërim për rrezikun e kësaj pandemie vdekjeprurëse dhe madje presidenti i saj Aleksandër Lukashenko ka një recetë se si të shërohemi nga virusi.
“Populli të bëj sauna, të pijë shumë vodka dhe të punojë po aq, që të shkatërrojë virusin brenda tij”, ishte deklarata e njeriut që qeveris që nga viti 1994 Bjellorusinë me një sistem të ngjajshëm me atë të Bashkimit Sovjetik.
Vendi i ka injoruar aq shumë marrjen e masave sa nuk ka ndërprerë as kampionatin e futbollit dhe as pjesëmarrjen në stadiume.
Suedia
Suedia ka reaguar krejt ndryshe nga vendet e tjera të prekura të botës, madje edhe nga vendet fqinje si Norvegjia dhe Danimarka, të cilat kanë vendosur masa ndaluese të forta që kur koronavirusi u identifikua për herë të parë në Evropë.
Baret, restorantet dhe kufijtë janë të hapur, ndërsa vendasit duket se janë shkëputur nga pjesa tjetër e botës, ku pandemia është kryefjalë e jetës së përditshme. Ata vijojnë jetën normalisht, madje kanë refuzuar të anulojnë koncertet dhe shfaqjet teatrale.
Turkmenistani
Turkmenistani, një vend aziatik me 6 milionë banorë, deklaron se nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus.
Edhe pse vend kufitar me Iranin, që është një nga vatrat e pandemisë, regjimi fsheh informacionet për vendasit dhe nuk jep asnjë shpjegim ose përditësim për Covid-19 që po mban në ankth, gjithë pjesën tjetër të planetit.
Sipas organizatës Reporters without Borders, vetë fjala koronavirus është e përjashtuar nga çdo media shtetërore, dhe nuk këshillohet të përdoret në asnjë dalje televizive.
Sakaq, asnjë kronikë mbi përhapjen ndërkombëtare të pandemisë nuk transmetohet në televizion, dhe asnjë informacion nuk jepet nga Ministria e Shëndetësisë./Opinion.al