Bashkimi Evropian deklaroi se mosmarrëveshjet e vendeve anëtare për politikat ekonomike gjatë pandemisë së koronavirusit, rrezikojnë ta ndajnë projektin evropian.
“Është e qartë se dallimet ekonomike midis vendeve evropiane, në vend që të zvogëlohen përballë një krize si kjo, ato po rriten. Do të jetë shumë e vështirë ta mbajmë bashkë projektin evropian”, paralajmëroi komisioneri për Ekonomi i BE-së, Paolo Gentiloni.
Vendet anëtare evropiane duhet të “fillojnë me objektiva të përbashkëta. Kemi nevojë për një instrument të ri të garantimit të papunësisë dhe një plan për mbështetjen e biznesit”, tha mes të tjerash, Gentiloni.
Të enjten, Gjermania dhe shtetet e tjera veriore të BE-së refuzuan një propozim të mbështetur nga nëntë vende, përfshirë Italinë, Spanjën dhe Francën, për të ashtuquajturat “bono-detyrime për koronën”.
Ato do të lëshoheshin në emër të Eurozonës dhe do të ishin borxh i përbashkët i shteteve anëtare./Opinion.al