Vendimi i qeverisë shqiptare për të dërguar 30 mjekë dhe infermierë në Itali për të ndihmuar me situatën e koronavirusit bëri jehonë jo vetëm në mediat italiane dhe ndërkombëtare, por edhe në opinionin publik ku të shumta ishin falenderimet nga personalitete të ndryshme.
Ky gjest solidariteti u përmend mbrëmjen e djeshme edhe në emisionin e ndjekur në Itali “Non e la D’Urso”.
Moderatorja e mirënjohur Barbara D’Urso kishte në një lidhje direkte kreun e Lega Nord, Matteo Salvini i cili tha se ndonëse Europa nuk po i jep asnjë ndihmë Italisë, Shqipëria ka dërguar 30 mjekë dhe për këtë “i falenderoj nga zemra”
“Telefonova personalisht kryeministrin shqiptar Edi Rama për ta falënderuar si italian, atë dhe popullin shqiptar që dërguan 30 mjekë. Nga Europa nuk arrin asgjë, nga Gjermania, Holanda, Brukseli nuk vjen asgjë, nga Shqipëria e afërt vijnë 30 mjekë, dhe unë e falënderoj me zemër”, tha Salvini.
Por qëndrimit të tij iu bashkuar edhe moderatorja e cila shtoi se ishte emocionuar nga kjo shenjë solidariteti nga Shqipëria.
Bashkohem me këtë. Kryeministri shqiptar tha: “Ne jemi të varfër, por nuk e kemi memorien e shkurtër. Italia na ka qëndruar gjithmonë pranë dhe ne me sa kemi mundësi tani do të ndihmojmë Italinë.” Mua më emocioni shumë kjo gjë. Dua ta falënderoj Shqipërinë që është një popull i mrekullueshëm që unë njoh. Mjekë erdhën dhe nga Kina, por Shqipëria e vogël dërgoi 30 mjekë. Ata nuk e kanë memorien e shkurtër. Megjithatë në Evropë ka shumë që e kanë memorien e shkurtër. Ndoshta Evropa nuk e ka kuptuar ende që këtu njerëzit vdesin. Njerëzit janë në shtëpi pa para. Njerëzit vdesin nga uria”, tha Barbara D’Urso. /Opinion.al