Koronavirusi vdekjeprurës ka prekur të gjitha shtetet amerikane. Virxhinia Perëndimore raportoi rastet e para., ndërsa guvernatori Jim Justice u shpreh se e priste një zhvillim të tillë dhe njoftoi se kishte bërë përgatitjet e nevojshme.
Shtëpia e Bardhë kërkon një fond emergjence prej 45,8 miliardë dollar për të përballuar pandeminë, por në total pakoja me stimuj ekonomikë pritet t’i tejkalojë 1 trilionë dollarët.
Për të frenuar përhapjen e kësaj pandemie, Trump urdhëroi ndërprerjen e udhëtimeve mes Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian, ndërsa po konsideron që të ndërpresë dhe fluturimet brenda vendit.
Brenda dy javëve pritet të hyjë në fuqi dhe një vendim tjetër i administratës së Presidentit. Kështu, pritet që qeveria amerikane do të dërgojë çeqe për amerikanët, në mënyrë që ata të kenë para për të shpenzuar gjatë krizës së koronavirusit.
Vendi do të angazhojë po ashtu dhe ushtrinë për të ngritur spitale dhe struktura të tjera për të vendosur të infektuarit me Covid-19.
Nga ana tjetër, Sekretari Amerikan i Thesarit, Steven Munchin, paralajmëroi senatorët se nëse Kongresi dështon me menaxhimin e situatës, papunësia mund të shkojë deri në 20%. Thuajse dyfishi i nivelit të papunësisë së shënuar gjatë Recesionit të Madh pas krizës financiare të vitit 2008.
Deri tani, mbi 100 persona kanë humbur jetën në Shtetet e Bashkuara për shkak të koronavirusit, ndërsa mbi 6 000 të tjerë rezultojnë të infektuarit./Opinion.al