Pas tërmetit të 26 Nëntorit, përhapja e koronavirusit pritet ta ngadalësojë më tej rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë këtij viti. Në këtë përfundim ka dalë një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga Jan Kees Martijn, pas konsultimeve me autoritete shqiptare.
“Shpërthimi i fundit global i koronavirusit (COVID-19) pritet të ngadalësojë rritjen ekonomike më tej në vitin 2020, dhe kjo tronditje gjithashtu do të godasë turizmin. Shkalla e ngadalësimit është tejet e paqartë në këtë moment”, theksoi Martijn, sipas deklaratës të shpërndarë nga FMN-ja. “Do të jenë të nevojshme edhe politika për të mbrojtur njerëzit gjatë shpërthimit të COVID-19 duke siguruar që sektori shëndetësor të ketë burime të mjaftueshme dhe duke mbështetur më të prekurit. Politika monetare duhet të jetë ndjeshëm akomoduese për të mbështetur rritjen ekonomike”, nënvizon deklarata duke shtuar se FMN-ja mbetet “e gatshme të vazhdojë dialogun me autoritetet për masat për të ndihmuar në kufizimin e ndikimit ekonomik të virusit”.
Goditja nga pandemia, e cila ka prekur ekonominë botërore dhe partnerët kryesorë ekonomikë e tregtarë të vendit, është e dyta për Shqipërinë pas tërmetit të fuqishëm të Nëntorit. “”Perspektiva e afatshkurtër për ekonominë shqiptare ka ndryshuar dukshëm gjatë tre muajve e gjysmë të kaluar. Tërmeti që goditi Shqipërinë në 26 nëntor pritet të dobësojë rritjen në vitin 2020, pasi ndikimi negativ në aktivitetin ekonomik (në veçanti, turizmi) tejkalon ndikimin pozitiv nga përpjekjet e pritshme të rindërtimit. Pas tërmetit – vijon më tej deklarata – autoritetet shqiptare me të drejtë vendosën t’i japin përparësi shpenzimeve buxhetore, në mbështetjë të ndihmës dhe përpjekjeve për rindërtimin, duke lejuar një rritje të moderuar të deficitit fiskal. Do të jetë e rëndësishme të sigurohet që projektet e rindërtimit të administrohen në mënyrë transparente, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, dhe të kenë përparësi më të rrezikuarit”
Misioni i Fondit vëren se “pas vitit 2020, pasi të kenë kaluar tronditjet e tanishme negative, autoritetet duhet të ndërtojnë shtytës më të fortë fiskalë, që do të lejojnë një stimul më të madh fiskal për të adresuar goditjet e mundshme në të ardhmen. Prandaj, mbeten kritike, masat për të ulur borxhin publik dhe për të përmirësuar rreziqet fiskale, të propozuara në Deklaratën tonë përmbyllëse të 26 nëntorit 2019”, saktëson deklarata.
Ekspertët e FMN-së komentojnë dhe nismën e përmendur kohët e fundit nga qeveria për një aministi të gjerë fiskale, duke vënë në pah se “do të duhet të zbatohet me shumë kujdes. Ndërsa deri më tani nuk është bërë ndonjë propozim specifik, përvoja në vendet e tjera ka treguar që programe të tilla minojnë respketin ndaj detyrimeve fiskale. Për më tepër, duhet që së pari të krijohen sistemet efektive për të zbuluar evazionin dhe për të parandaluar mundësitë e pastrimit të parave dhe korrupsionit”, përfundon deklarata e lëshuar nga misioni I Fondit Monetar Ndërkombëtar./ VOA