Italia është vendi me numrin më të lartë të të prekurve nga koronavirusi jashtë Azisë. Rastet e konfirmuara pësuan një rritje të menjëherëshme ditët e fundit ku rajoni i Lombardisë është më i prekuri.
Situata ka ngjallur frikë dhe panik në popullsi ndërsa autoritetet kanë ndërmarrë masa drastike për të ndaluar përhapjen e virusit duke paralajmëruar arrestime për të gjithë ata që tentojnë të largohen nga zonat të cilat cilësohen si “vatra infektimi”.
Por ajo që bie në sy nga rajoni tashmë i izoluar janë supermarketet e zbrazura. Të friksuar nga zgjatja në kohë e periudhës së izolimit, qytetarët e Lombardisë kanë furnizuar shtëpitë e tyre me rezerva ushqimesh.
Por ashtu si në filma, duket se situata kaotike dhe “përpjekja për mbijetesë” i ka bërë njerëzit më të dhunshëm. Një video është publikuar së fundmi në media dhe rrjetet sociale, ku shihen dy persona që përfshihen në një përleshje, brenda “zonës së kuqe” në Itali.
Ngjarja ndodhi brenda një supermarketi, ku dy të rriturit godasin njëri-tjetrin me grushte, ndërkohë që një anëtar i stafit, përpiqet t’i ndajë.
Sipas dëshmive, ngjarja është filmuar në qytetin e Casalpusterlengo, një nga 10 qytetet në rajonin e Lombardisë, që është vendosur në karantinë për shkak të virusit, dhe mollë e sherrit janë bërë disa pako me makarona, të fundit e mbetura në rafte./Opinion.al